BBC-ja e rendit në fund të tabelës këngën e Shqipërisë në “Eurovision”
Në fund të tabelës”, është parashikimi që kritiku i muzikës në BBC, Mark Savage, ia ka bërë këngës “Duje” të Albina Kelmendit, përfaqësuese e Shqipërisë në garën evropiane të këngës “Eurovision”. Sipas tij, fituesi pritet të dalë prej njërit nga tri shtetet: Franca, Spanja ose Suedia.
Ka mbetur gati një muaj nga finalja e madhe e “Eurovisionit” e cila do të mbahet më 13 maj në qytetin e Liverpolit në Britani të Madhe. Në edicionin e sivjetmë, të 67-tin, do të marrin pjesë 37 shtete, përfshirë edhe Izraelin dhe Azerbajxhanin. Për korrespondentin e prestigjiozes britanike, gjasat e Shqipërisë për të fituar këtë garë janë të pakta. Savage ka bërë një vlerësim për secilën nga këngët garuese.
“Një ish-finaliste e ‘The Voice’, ajo do të interpretojë këngën ‘Duje’, një baladë dramatike për ndarjen bashkëshortore dhe ndikimin që ajo ka te fëmijët. Performanca zakonisht përfundon me Albinën që u rrëzua në gjunjë e përlotur. Vargjet e pasionuara të Albinës ndërtohen në një kor tërheqës, teksa në sfond dëgjohen zërat e familjes së saj – por në përgjithësi është mjaft e rëndë. Parashikimi: Në fund të tabelës”, shkruan BBC-ja.