LajmeOpinione

Eksperti i Ballkanit: Ideja e ndryshimit të kufijve u propagndua nga Thaçi e Vuçiq

Lidhur me diskutimin për shkëmbim të mundshëm territoresh si zgjidhje e konfliktit të Kosovës, eksperti pë Ballkanin pranë Këshillit të Politikave për Demokratizimin, Bodo Weber, tregon edhe njëherë arsyet se përse Qeveria Gjermane nuk e mbështetë idenë e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi rreth shkëmbimit të territoreve.

Weber, në një kolumne për DW, ka theksuar se në negociatat e drejtuara nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënies së dyanshme vihet re që nga fillimi i vitit një ofensivë e madhe diplomatike e SHBA për të arritur një marrëveshje bazuar në idenë e këmbimit të territoreve.

“Ideja publikisht u propagandua nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, në verën e vitit 2018. Sidomos Beogradi nuk është lodhur të flasë për “kompromis” që nga fillimi i fazës finale të dialogut politik në vitin 2012 nën drejtimin e kancelares, Angela Merkel”, thekson ai.

Eksperti i Ballkanit, tregon se kundër idesë së shkëmbimit të territoreve janë shprehur qeveria gjermane dhe kancelarja Merkel, që nga mbështetësit e idesë paraqiten si ideprishës.

Weber pyet se pse duhet të jenë kundër një ideje të tillë BE dhe SHBA, pyesin ata, nëse të dyja palët bien dakord dhe pse?

“Në të vërtetë në këtë propozim bëhet fjalë për diçka tërësisht tjetër, se e paraqesin protagonistët: Për një aleancë jofatsjellëse të dy liderëve autoritarë ballkanikë me të ngarkuarën e BE për Politikën e Jashtme dhe administratën e paparashikueshme të Trumpit, e cila kthen përmbys dialogun politik si parimet bazë të tre dekadave stabilizim dhe demokratizim të Ballkanit Perëndimor”, shkruan ai.

Shkrimi i plotë pa ndërhyrje:

Në negociatat e drejtuara nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënies së dyanshme vihet re që nga fillimi i vitit një ofensivë e madhe diplomatike e SHBA për të arritur një marrëveshje bazuar në idenë e këmbimit të territoreve. Ideja publikisht u propagandua nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, në verën e vitit 2018. Sidomos Beogradi nuk është lodhur të flasë për “kompromis” që nga fillimi i fazës finale të dialogut politik në vitin 2012 nën drejtimin e kancelares, Angela Merkel.

Presidenti Thaçi solli për herë të parë idenë e këmbimit të veriut të banuar kryesisht me serbë në Kosovë me territorin serbojugor të Luginës së Preshevës të banuar kryesisht me shqiptarë, përfshirë edhe njohjen reciproke të të dy vendeve. Për këtë nuk kanë bërë bërë publik ndonjë plan asnjë nga të tre pjesëmarrësit, në bisedimet e mbajtura plotësisht sekret të drejtuara nga e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.

Aleancë jo fatsjellëse e liderëve autoritarë ballkanikë

Kundër këtij propozimi janë shprehur qeveria gjermane dhe kancelarja Merkel, që nga mbështetësit e idesë paraqiten si ideprishës. Pse duhet të jenë kundër një ideje të tillë BE dhe SHBA, pyesin ata, nëse të dyja palët bien dakord dhe pse?

Në të vërtetë në këtë propozim bëhet fjalë për diçka tërësisht tjetër, se e paraqesin protagonistët: Për një aleancë jofatsjellëse të dy liderëve autoritarë ballkanikë me të ngarkuarën e BE për Politikën e Jashtme dhe administratën e paparashikueshme të Trumpit, e cila kthen përmbys dialogun politik si parimet bazë të tre dekadave stabilizim dhe demokratizim të Ballkanit Perëndimor.

Pas luftës së Kosovës ishte Beogradi që e hodhi poshtë kompromisin realist, përfshirë edhe planin e të ngarkuarit të OKB-së, Matti Ahtisaari, të cilin Prishtina u detyrua ta zbatojë njëanshëm duke e shndërruar në rend kushtetues të Republikës së sotme të Kosovës. Vite më vonë ishte kancelarja Merkel, që përpjekjet e Beogradit për integrim në BE i përdori për zgjidhjen e konfliktit të ngecur të statusit, duke e lidhur anëtarësimin e Serbisë me njohjen e realitetit të humbjes së Kosovës, dhe kështu e mbështetur nga Britania e Madhe dhe SHBA arriti një sukses historik. Në Marrëveshjen e Prillit në vitin 2013, Beogradi e njohu faktikisht Kosovën. Kryeminisitri i atëhershëm, Ivica Daçiç foli publikisht, se politika dhe shoqëria e kanë gënjyer veten një dekadë me radhë, se Kosova është ende pjesë e Serbisë.

Negociatat sekrete si kthim politik mbrapa

Megjithëse BE asokohe nuk e kishte theksuar në mënyrë eksplicite pikën finale të dialogut, të dyja palët e kishin të qartë që kjo do të thotë normalizim i plotë i marrëdhënieve përfshirë dhe njohje e dyanshme. Kësaj i shërbyen edhe deklaratat e shprehura nga Merkel dhe ministri i atëhershëm i Jashtëm, Ëesterëelle, se koha e ndryshimeve të kufijve në Ballkan ka marrë fund.

Prandaj negociatat e fundit sekrete paraqesin një kthesë të fortë politike në të kundërt. Motivimi i të dy aktorëve kryesorë është i ndryshëm: Për presidentin Vuçiq është përpjekja të përdorë dobësinë aktuale politike të BE për të nxjerrë më shumë se sa është e mundur nga kuadri i dialogut, për të cilin është rënë në ujdi. Në të njëjtën kohë ai kërkon të tërheqë vëmendjen nga problemet e brendshme politike, pasojë e konsolidimit autoritar-autokratik të pushtetit me tolerimin e perëndimit.

Kurse presidenti Thaçi i privatizoi negociatat përkundër të gjithë rezistencës të të gjitha partive politike të shqiptarëve të Kosovës, me shpresën e ikjes nga kërcënimi i një akuze nga Gjykata e Posaçme e BE për krime lufte në fundin e luftës së Kosovës.

Federica Mogherini, paaftësia e së cilës si negociuese e çoi dialogun në një krizë ekzistenciale tani përpiqet dëshpërimisht që dështimin e saj ta kthejë në sukses, duke e kthyer në parim mungesën e saj të parimeve. Emëruesi i përbashkët me administratën e Trumpit, i një aksi të pazakontë Bruksel-Uashington qëndron në detyrën e kalimit të parimeve perëndimore liberal-demokratike në favor të një “dealmaking” – ujdibërjeje, në kuptimin që “çdo lloj ujdie është ujdi e mirë”.

Këmbimi i territoreve do të destabilizonte Ballkanin

Pasojat potenciale të një këmbimi territoresh, legjitimimi shtojcë që perëndimi do t’i bënte parimit etnoterritorial tre dekada pas përfundimit të Luftërave Ballkanike do të ishin të paimagjinueshme: Eksodi i serbëve që jetojnë me shumicë në jug të Kosovës, që me vetëdije në llogarinë e Vuçiqit lihen mënjanë, do të ishte i pamënjanueshëm, i ndjekur nga konflikte edhe të armatosura mes popullatës serbe në shumicë dhe shqiptarëve të Kosovës në veri.

Do të pasonte destabilizimi etnonacionalist i të gjithë rajonit nga Bosnje-Hercegovina deri në Maqedoni. Procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të harrohej për një kohë të gjatë. BE e dobësuar nga brenda nga populistët dhe nacionalistët do të rrezikohej ekzistencialisht edhe më shumë. Një ndarje etnoterritoriale e mbështetur nga aktorët perëndimorë do të kishte pasoja të mëdha në përballjen me Rusinë për ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës, me pasoja të paparashikueshme gjeopolitike.

Merkel duhet të marrë rol drejtues

Për kancelaren Merkel zhvillimi aktual do të thotë një lloj beteje e fundit në politikën e jashtme dhe europiane. Brenda BE, Merkeli si edhe ministri i saj i Jashtëm socialdemokrati, Heiko Maas janë shprehur më qartazi publikisht kundër idesë. Ky pozicion mbështetet nga shumica e vendeve anëtare, mes tyre edhe Spanja e Sllovakia, që nuk e njohin Kosovën. Por ato fshihen sa të munden pas Gjermanisë, duke shpresuar në rolin drejtues të kancelares. Merkel duket aktualisht, se po heziton t’i futet kësaj beteje për trashëgiminë politike në fund të epokës së saj.

Për të penguar një marrëveshje këmbimi territoresh me të gjitha pasojat e saj, duhet që kancelarja të rimarrë pozicionin e saj drejtues europian në dialogun politik. Në të njëjtën kohë, ajo duhet t’i japë të kuptojë publikisht si Beogradit edhe Prishtinës që në rast të një nënshkrimi të marrëveshjes së këmbimit të territoreve, për shkak të rrezikut për paqen dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor do të shuhej për një kohë të gjatë perspektiva e anëtarësimit në BE. Edhe Bundestagu mund të miratojë një rezolutë përkatëse të grupeve të ndryshme parlamentare.

Përveç kësaj Berlini duhet të grumbullojë pas vetes vende të tjera anëtare të BE për një iniciativë të rifillimit të negociatave të dialogut, të kuadrit fillestar të dialogut. Mbetet të pritet, nëse samiti i synuar më 29 prill, i thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jetë një hap i parë në këtë drejtim.

Bodo Weber është studiues i asociuar (Senior Associate) i Institutit Transatlantik të Këshillit për Politikën e Demokratizimit, DPC, me qendër në Berlin./DW