Kurti: S’pranojmë Asociacion mbi baza etnike, bie në kundërshtim me Kushtetutën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka ripërsëritur kundërshtinë e tij për kërkesën e vazhdueshme të Serbisë dhe atë të ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se një asociacion i këtillë, të cilën e quajti mbi baza etnike, nxit politikë mbi baza etnike dhe se nuk është e mundshme.
Kurti këto deklarime i ka bërë në një intervistë për mediumin Deutsche Welle, teksa ka përkujtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për çështjen e themelimit të Asociacionit, e cila e konsideronte si jo-kushtetuese.
“Ka një mundësi për bashkëpunim ndërkomunal, por jo për asociacion mbi baza etnike. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016″, deklaroi ndër të tjera ai.
Kundërshtia e hapur e kryeministrit Kurti vjen në kohën kur SHBA dhe BE po kërkojnë që të fillohen menjëherë hapat e parë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai ka thënë se Beogradi po e refuzon propozimin franko-gjerman dhe situatën në veri e ka quajtur si formë e kamuflimit të këtij refuzimi.
Kjo situatë është krijuar sepse Beogradi e refuzon propozimin Franko-Gjerman dhe kjo dramë është krijuar për të mbuluar refuzimin. Ata e kanë diskutuar këtë propozim në takimin e Këshillit të Sigurisë në Beograd dhe ai është refuzuar në mënyrë unanime. Pra, të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë në Serbi votuan kundër propozimit. Dhe njoftimi u dha nga ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili në të shkuarën ka qenë zëdhënës i Millosheviçit. Ai tha se e kishin refuzuar propozimin franko-gjerman dhe më pas sajuan këtë dorëheqje kolektive nga institucionet tona, të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë”, deklaroi ndër të tjera i pari i ekzekutivit nga Forumi i Paqes në Paris.
Lideri kosovar gjithashtu ka shprehur gatishmëri për takimin me Aleksandër Vuçiq, mirëpo ka thënë se kjo varet nga pala ndërmjetësuese.