Lajme

Ambasadori i Shqipërisë në OKB ia përmend Serbisë çështjen e pasivizimit të adresave në Luginë 

Raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për situatën në Kosovë po diskutohet në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha ka përgëzuar progresin që Kosova ka shënuar në gjashtë muajt e fundit.

“Kosova është rreshtuar krahë Ukrainës dhe ka treguar zemërgjerësi për refugjatët nga Ukraina dhe Afganistani”.

Edhe përfaqësuesi i Shqipërisë ka kërkuar përfundimit e mandatit të UNMIK-ut.

“Nuk ka logjikë më ajo rezolutë. UNMIK-u nuk e ka misionin që e ka pasur në atë kohë, ftojmë OKB-në ta ndryshoj atë. Ka shumë gërshetime në mes të UNMIK-ut dhe OSBE-së”, tha ai.

Hoxha ka përmendur edhe sulmet që janë bërë në këtë vit ndaj Policisë së Kosovës.

Ai ka thënë se shqetësimet e Serbisë për trajtimin e pakicës serbe në Kosovë nuk kanë vend pasi Kosova ka njërën prej kushtetutave më të mira që garanton të drejtat e pakicave.

Ai ka thënë se Serbia duhet të kujdeset edhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Hoxha ka përmendur çështjen e pasivizimit të adresave dhe problemet me regjistrimin e popullsisë në Luginë./Telegrafi/