Shqipëri

Presidenti Meta: Grabitja në aeroport cenoi sigurinë kombëtare

Për grabitjen e ndodhur një ditë më parë në aeroportin e Rinasit, ku persona të armatosur dhe të maskuar arritën të marrin miliona euro, ndërsa njëri prej tyre mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Presidenti tha se një ngjarje e tillë është e papranueshme dhe tregues i mungesës së përgjegjësisë së institucioneve të sigurisë. Meta theksoi se vitin e kaluar, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ishin evidentuar problemet në aeroportin e Rinasit sa i përket sigurisë dhe ishte kërkuar edhe ngritja e një grupi me urgjencë për zgjidhjen e problemeve.

“Si kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kam organizuar mbledhjen e këshillit vitin e kaluar, pika e tretë ishte edhe raporti mbi sigurinë portuale dhe aeroportuale. Në këtë mbledhjen kam ngritur shqetësimin mungesën e përgjegjësive dhe mangësitë në akses dhe në koordinim për ndërhyrjen e policisë në rast rreziku.

Në përfundim, detyrat e dala për secilin institucion u janë përcjellë të gjithë anëtarëve dhe është kërkuar ngritja e grupit urgjent për zgjidhjen e të gjitha problematikave në aeroportin “Nënë Tereza”. Në këto kushte, ngjarjen e përsëritur të djeshme, e konsideroj cenim serioz të rendit dhe të imazhit të vendit tonë.

U kërkoj të gjitha agjencive ligjzbatuesve të identifikojnë dhe kapin autorët dhe të gjejnë të gjitha vlerën monetare të grabitur. Të hetohen të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi për këtë grabitje.

Presidenca vendos të gjithë dokumentacionin që disponojmë nga mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, tha Meta në një deklaratë për mediat.