Nga 1 gushti, dokumentet serbe do të zëvendësohen gjatë hyrje-daljeve në Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar se nga 1 gushti, të gjithë ata që paraqiten për kalim kufitar me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajisen në pikëkalimet kufitare me dokumente që përkohësisht zëvendësojnë përdorimin e dokumenteve të tilla.
Në njoftimin e lëshuar nga Policia të dielën, thuhet se dokumenti hyrje/dalje, do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.
“Me qëllim të zbatimit të vendimit, mundësimit të pajisjes më të shpejtë me dokument hyrje/dalje për qytetarët që kanë nevojë, shmangies së pritjeve dhe mundësimit të qarkullimit më të lehtë kufitar, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore, si në aspektin e burimeve njerëzore, po ashtu edhe në ato teknike e logjistike”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky dokument, sipas policisë, do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror dhe ka afat vlefshmërie 90 ditë.
“Me dokument për Hyrje/Dalje pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet, të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi”, thuhet në njoftim të policisë.