Lajme

Serbia “pushton” përsëri tregun e Kosovës me mallra, ia kalon Shqipërisë 

Problemet me Serbinë, Kosova i ka të pazgjidhura, por kur vjen puna tek shkëmbimi tregtar, gjërat ndryshojnë. Këtij ndryshimi, efektin po ia sheh vetëm Serbia. Brenda 5-mujorit të parë të këtij viti, vetëm nga Serbia për në Kosovë janë importuar mallra me vlerë afërsisht 132 milionë euro.

Vitin e kaluar, nga Serbia për në Kosovë kanë hyrë 261 milionë kilogramë produkte, me vlerë mbi 300 milionë euro. “Nëse krahasohet viti i kaluar me vitin aktual, në pesë muajt e parë shohim se nga Serbia, vjet kemi importuar 261 milionë kilogramë produkte. Ndërsa këtë vit ka më pak, rreth 8 milionë kilogram mallra. Është ulur sasia e produkteve, por vlera ka shënuar rritje, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të produkteve”, shprehen nga Dogana e Kosovës.

Krahas importit që është shumë i madh, edhe eksporti i Kosovës për në Serbi ka shënuar rritje të vogël. “Brenda pesë muajsh janë eksportuar mallra në vlerë afërsisht 25 milionë euro. Shifra pozitive, Kosova ka shënuar edhe në eksportin e mallrave në raport me shtetet tjera”.

Deri më tani janë eksportuar rreth 354 milionë euro mallra. Ndërsa deri në fund të vitit, sipas Doganës së Kosovës, vlera e eksportit pritet të arrijë vlerën 900 milionë euro.

Serbia i zë vendin Shqipërisë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, aktualisht deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë Kurti, pasi sipas tyre, dikur i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia e në vitin 2021, Serbia kthehet në vendin e parë me mallra në Kosovë, me rritje prej 76%.

Në një postim në Facebook, Hoti shkruan: “Më 2020, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon prej nga Kosova importonte mallra, Maqedonia e Veriut e dyta, ndërsa Serbia e treta. Në vitin 2021, trendi ndryshon. Serbia kthehet në vendin e parë, me rritje prej 76%. Njëherë e një kohë, disa i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia. Njëherë e një kohë, disa zotoheshin për reciprocitet”, shkruan Hoti.

Albin Kurti, pasi u emërua kryeministër herën e parë, mori vendim për heqjen e taksës 100% që e kishte vendosur Ramush Haradinaj për produktet serbe. Kjo pas presioneve të mëdha ndërkombëtare. Por, pak ditë para se të bëhej kryeministër për herë të dytë, në një intervistë së bashku me Presidenten Vjosa Osmani kishte premtuar se do të vendoste masën e reciprocitetit për Serbinë.

Siç thoshte Kurti në vitin 2021, vendosja e masës së reciprocitetit do të jetë çështje ditësh e javësh, por kurrsesi muajsh. Megjithatë që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se një vit dhe Kosova nuk e ka vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë.

Si rezultat, importi nga Serbia nga viti 2019 kur Kosova i kishte vendosur taksën, deri në vitin 2021, është rritur ndjeshëm, duke i kaluar 300 milionë euro. Për këtë fakt, ditë më parë pati reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, i cili ka provuar të japë sugjerime se cila periudhë me cilën duhet krahasuar.