Bota

DW: Ministri gjerman i Ekonomisë shpall gjendjen e emergjencës

Për shkak të situatës së tensionuar në tregjet e gazit, qeveria gjermane ka nisur fazën e dytë të planit të emergjencës së gazit. Ministri i Ekonomisë Habeck e përshkroi masën si “të nevojshme”.

Gjermania hyn në fazën 2 të planit të saj emergjent të gazit pasi Rusia ngadalëson furnizimin. Gjermania kërkon të reduktojë kërkesën për gaz për të shmangur mungesat afatgjata, ndërsa Rusia po ngadalëson furnizimin me gaz. Si rezultat, çmimi i gazit për konsumatorët mund të rritet edhe më shumë.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck njoftoi të enjten se vendi do të hyjë në fazën 2 të planit të tij të emergjencës me tre faza të gazit.

Avancimi në nivelin e “alarmit” vjen pasi Rusia, furnizuesi më i madh i gazit në Gjermani, kërcënon të ndalojë furnizimin me gaz në kuadër të tensioneve të lidhura me pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Habecku e quajti situatën “serioze”. Ai tha se ndërprerja e furnizimit me gaz nga Rusia ishte “një sulm ekonomik ndaj nesh”.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin donte të mbillte pasiguri, të rriste çmimet dhe të krijonte mosmarrëveshje.

“Ne jemi në një krizë gazi,” tha ministri gjerman i Ekonomisë. “Që tani e tutje, gazi është një mall me mungesë. Çmimet janë tashmë të larta dhe duhet të presim rritje të mëtejshme,” shtoi ai.