KryesoreLajme

Pse ushtarët shqiptarë ishin sot në veri të Mitrovicës? Tregon KFOR’i

Zyra për Informim e Shtabit të KFOR-it ka njoftuar se gjendja në veri, si dhe në mbarë Kosovën, është nën kontroll.

Përmes një njoftimi për media, KFOR njofton se nuk ka asnjë shenjë apo dëshmi për trazira apo dhunë të mundshme.

“Pavarësisht nga thirrjet e shumta për mos-përhapje të spekulimeve të papërgjegjshme, për fat të keq thashethemet e fabrikuara vazhdojnë të qarkullojnë nëpër media dhe shkaktojnë shqetësime të pabaza tek popullata. KFOR-i konfirmon se gjendja në veri, si dhe në mbarë Kosovën, është absolutisht nën kontroll dhe nuk ka asnjë shenjë apo dëshmi për trazira apo dhunë të mundshme”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës nuk ka asnjë arsye për shqetësim dhe frikë.

“Këtyre ditëve, një grup oficerëve të NATO-së, të shoqëruar nga KFOR-i, po zhvillon një aktivitet zbulimi nëpër Kosovë. Ata oficerë janë nga shtetet e ndryshme të NATO-së, përfshirë Shqipërinë. Aktiviteti përfshinë vizita nëpër vende të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë Mitrovicën dhe lokacione tjera në veri. Ky nuk është provokim, por është një aktivitet i përbashkët i NATO-së, dhe prania e 4 oficerëve shqiptarë nuk duhet ta habisë askënd pasi që Shqipëria është anëtare e NATO-së tani e 10 vjet. Për më tepër, duhet të dihet se Shqipëria gjithashtu kontribuon në misionin e KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera në komunikatë thuhet se, KFOR-i vazhdon në mënyrë të paanshme t’i përkushtohet mandatit të OKB-së për ta mbrojtur tërë popullin në Kosovë, prandaj kur KFOR-i ushtron dhe lëviz nëpër Kosovë, të gjithë duhet të ndihen më të sigurt.

Mediat sot kanë raportuar se katërdhjetë ushtarë të KFOR-it, në mesin e tyre edhe pjesëtarë të ushtrisë shqiptare, kanë shëtitur sot nëpër rrugët kryesore në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas raportimeve të mediave serbe, shfaqja e ushtarëve shqiptarë në uniformë ka shkaktuar “shqetësim” në veri të Mitrovicës.