Të fundit

Përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës nesër në mëngjes takim me Albin Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Prishtinë të hënën në takim në ora 8:00, temë e të cilit do të jetë situata pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Të ftuar janë kryetarja aktuale e Preshevës, Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik (PVD), Ragmi Mustafa nga Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH), kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu nga Lëvizja për Reforma, kryetari i Alternativës Shqiprim Arifi, janë të ftuar në takimin e caktuar për në orën tetë të mëngjesit. Ne takim jane ftuar edhe Naser Aziri, Shaip Kamberi, Nagip Arifi dhe Shqiprim Musliu.

Qëllimi i takimit është “të diskutohet për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, sipas ftesës së kryeministrit dërguar përfaqësuesve politikë nga Lugina e Preshevës.

Mbledhja është thirrur pas dështimit të dy listave zgjedhore shqiptare për të siguruar mandat në Kuvendin e Serbisë dhe në ditën kur është caktuar seanca e Kuvendit të Komunës së Preshevës, e cila kërkon shkarkimin e kryetares Ardita Sinani, që praktikisht do të nënkuptonte një ndryshim në koalicionin qeverisës.