Shkolla e Mesme në Gjakovë ndalon shaminë, vjen reagimi i deputetës Duda Balje
Ndaj një vendimi të Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, për të vënë simbole ndaluese për vendosjen e shamisë në shkollë, sot ka pasur disa reagime, nga persona të njohur publik
Krahas simbolit për shaminë, janë edhe simbolet për ndalimin e armëve, konsumimit të duhani dhe mjeteve të tjera të rrezikshme.
Vendosja e përbashkët e këtyre simboleve, ka revoltuar edhe më shumë qytetarët, por edhe përfaqësuesit institucionalë dhe figurat publike.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje i është drejtuar drejtores së kësaj shkolle, Forentina Gjergjaj, duke e pyetur publikisht se në cilat ligje të vendit e ka bazuar vendosjen e simboleve ndaluese.
“Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë znj. Florentina Gjergjaj, nuk e di se, në bazë të cilës Kushtetutë apo ligji keni vendosur simbolet ndaluese?!!! Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetarë dhe Republikën tonë, papërjashtuar edhe besimet fetar”, ka shkruar deputetja në facebook