Abdixhiku “godet” Kurtin, e ka izoluar Kosovën dhe i ka braktisur qytetarët
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shprehur se përgjatë 12 muajve të shkuar, qeveria është përcjellë me populizëm, arrogancë dhe braktisje të kauzave përmes të cilave ka ardhur në pushtet.
Ai të martën në një konferencë për media, ka thënë se në kohë krize, Qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët e saj.
E sipas tij, Qeveria “është treguar e aftë në kapjen e bordeve”.
“Në politikë të jashtme kjo Qeveri është karakterizuar me skandale, me mungesë të takimeve në nivel të lartë. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë. Nuk përjashtohet as qasja e kësaj qeverie rreth dialogut. Në politikën e brendshme qeveria ka qenë sa arrogante po aq edhe konfliktuoze. Dëshpërimi qytetarë me një qeverisje të tillë është përcjellë me largim masiv të qytetarëve tanë dhe të rinjve. Sipas matjeve të fundit 55 për qind e konsiderojnë largimin nga Kosova”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se Qeveria Kurti ka dështuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Ai ka thënë se dëmi tjetër i madh është kalimi i dialogut me Serbinë në rrafshin teknik.