Shqipëri

Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin për shkarkimin e presidentit Meta

Në Gjykatën Kushtetuese ka nisur seanca ku do të shqyrtohet vendimi i parlamentit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Ai nuk është i pranishëm në seancë, por përfaqësohet përmes përfaqësuesve të vet ligjorë.

Në qershor të vitit te kaluar, 104 deputetë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas socialisteve kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga komision hetimor i ngritur për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Meta e ka konsideruar të paligjshëm vendimin për shkarkimin e tij. Por përmes një postimi në faqen e vet në Facebook mëngjesin e sotëm, kreu i shtetit lajmëroi se avokatët e tij do të paraqiten në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet kërkesa e parlamentit.