Vjen urdhëri nga Vranja, Punëtorët shqiptar të Barnatores nga nesër largohen nga puna, serbët vazhdojn të punojnë
Se diskriminimi i shtetit serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk ka të ndalur tregon edhe rasti më i freskët, ai me punëtorët e Barnatores së qytetit në Preshevë e cila me decenije funksionon si njësi e Barnatores së Vranjës. Ka disa vite që punëtorët e këti institucioni ballafaqohen me kërcënime të vazhdueshme nga udhëheqsia e Barnatores në Vranjë se do të largohen nga puna dhunshëm nëse ata „vullnetarisht“ nuk e nënshkruajn programin social me të cilin do të largohen „me dëshirë“ nga puna. Vitin e kaluar, duke mos pasur rrugëdalje tjetër, tre teknik farmaceutik nënshkruan programin social dhe u larguan nga puna. Krejt ky presion thuhej se po bëhet ngase nuk ka rentabilitet që të funksionoj kjo ndërmarrje me atë numër të të punësuarve.
Pas zvoglimit të numrit të punëtorve u tha se tani mundet të funksionohet normalisht. Mirëpo sot tre teknikët e farmacisë të nacionalitetit shqiptar janë ftuar urgjentisht nga drejtoria në Vranjë që nesër, më 29.03.2019 të nënshkruajn vendimet për largim „vullnetar“ nga puna në të kundërtën ata do të detyrohen që të shkojnë për të punuar në qytete tjera të rrethit të Pçinjës. Me këtë akt merret vesh se barnatorja në qytet që shërbente kryesisht pacientët shqiptar do të mbyllet kurse barnatorja në Stacionin Hekurudhor ku ka numër më të theksuar të banorëve serb do të vazhdoj së funksionuari. Teknikës shqiptare në Stacionin Hekurudhor i është thënë se duhet të largohet ngase mjetet e realizuara nga shitja e barnave nuk po mjaftojn të realizoj pagën e saj, por çuditërisht në vend të saj tani e tutje aty do të punojë farmacisti i nacionalitetit serb i cili ka pagën dyfish më të lartë se teknikja shqiptare.
Se ky vendim nuk ka të bëjë me rentabilitet ekonomik por është kryekput vendim politik dhe diskriminues ndaj punëtorve shqiptar tregon fakti se një teknike e farmacisë e nacionalitetit serb nuk u detyrua të largohet nga puna por u bart në Barnatoren e Vranjës, kurse punëtori tjetër i nacionalitetit serb do të vazhdojë të punojë normalisht në Preshevë dhe që tani e tutje, Barnatorja e qytetit të Preshevës me popullsi 97% shqiptare nuk do të ketë asnjë të punësuar shqiptar, me përjashtim një farmaciste shqiptare e cila nuk do të mundet të largohet nga puna deri sa është në pushim të lehonisë pasi që ligji nuk e lejon një gjë të tillë anda ajo vazhdon të figuroj si e punësuar „vetëm në letër“ deri në përfundimin e pushimit të lehonisë