Shefat Isufi do të ngjitet në ring në Beograd me ngjyrat kuqezi: Jam stërvitur maksimalisht, do të dalë nga ringu si kampion
Shefat Isufi është padyshim një nga boksierët më të mirë shqiptarë të viteve të fundit.
Shefat Isufi mundi bindshëm Tomas Adamek më 4 shtator, për të fituar titullin e Federatës Botërore të Boksit (WBF) në Gjermani. Isufi e rrëzoi Adamek në raundin e pestë dhe të dhjetë, për të rrëmbyer fitoren e madhe më pas pas vendimit të gjyqtarëve.
Isufi shprehet shumë i lumtur që u shpall kampion, teksa thotë se ai ballafaqim i hapi rrugën për t’i arritur qëllimet e tjera në karrierë.
“Siç dihet më 4 Shtator të këtij viti që po e lëmë pas në ndeshjen kundër polakut Tomas Adamek, arrita që të shpallem Kampion Inter-Continental në verzionin WBF në kategorinë gjysëm-të-rëndë. Kjo fitore e rëndësishme m’i hapi rrugët për t’i arritur qëllimet tjera, ku dy muaj më vonë më 20 Nëntor pata rastin të ndeshem me argjentinasin Crispulo Javier Andino për të mbrojtur këtë titull. Por pas situatës së krijuar me COVID-19 në Gjermani, u morën masa për ndalimin e udhëtimeve nga shumë shtete ku iu pamundësua pjesëmarrja e shumë boksierëve që rezultoi me anulimin e eventit”, tha fillimisht Shefat Isufi për ‘GazetaBlic Sport’.
Pavarërisht një puaze që kishte, Shefat Isufi zbulon se është stërvitur maksimalisht dhe se meçi i radhës do të jetë në janar të vitit 2022.
“Edhe gjatë kësaj pauze jam stërvitur rregullisht në mënyrë që të jem i gatshëm kurdo që më jepet mundësia të ngjitem në ring. Së fundmi kemi arritur që meçi i radhës të jetë në janar të vitit 2022. Pas asaj që ndodhi në eventin e kaluar, vendosëm që ky i radhës të mbahet në Beograd. Detaje të tjera në lidhje me këtë meç do të japim ditëve në vazhdim”, potencon Isufi.
Ai thotë se meçi i radhës do të zhvillohet në Beograd, teksa lokacioni i jep edhe më shumë motivim për t’i zbuluar aftësitë që ai posedon. Në ring, Isufi thotë se do të ngjitet me ngjyrat kuqezi.
“Si për krejt shqiptarët edhe për mua është një motiv shtesë që po ndeshem në Beograd për faktin që duhet t’i tregojmë atyre që ne jemi të suksesshëm dhe dijmë të jemi edhe kampionë. Patjetër që në ring do të ngjitem me ngjyrat kuq e zi, nuk e di për flamurin se a më lejohet a jo, kjo do të varet prej organizatorëve. Por më e rëndësishme është që të dalë prej aty si Kampion”, vazhdoi ai.
Në fund, Isufi e konsideron vitin 2021 si vit të suksesshëm – pasi nga dy ballafaqime, ka marrë dy fitore.
“Falë punës së palodhshme të ekipit tim, në veçanti menaxherit tim Ilir Sinanit, viti 2021 ka qenë në përgjithësi shumë i sukseshëm, ku nga dy ndeshje në total i kam marrë dy fitore. Edhe pse kemi bërë disa ndryshime në ekip, prap angazhimi ka qenë në nivel të lartë. Po shpresojmë që viti tjetër të jetë edhe më i suksesshëm pasi që pas kësaj ndeshje, do t’më jepet mundësia per Titull të Botës, po pra me emër të Zotit do të jem Kampion Bote”, përfundoi ai.