ARKIVA

Kurshumlia ka qenë çerdhe shqiptare

Për Kurshumlinë, si vendbanim shqiptarësh, ai thotë se ky vend “ka qenë çerdhe shqiptare”.

Toplicën, Pusta Rekën, Gollakun dhe Jabllanicën e atëhershme, të sapookupuar nga ushtria serbe, Dimitrije”Mita” Rakiqi quajti Arnautllëk (Shqipëri). Me hyrjen e trupave serbe në këto treva , Arnautllëkun, e emërtoi me emër të ri, Serbia e Re.

Me përfundimin e luftës ruso-turke 1876-1878, gjegjësisht me dëbimin e shqiptarëve nga Toplica e Jabllanica dhe nga viset e tjera të trevave të banuara me shqiptarë, kryeshefi i repartit operativ pranë komandës qendrore të ushtrisë serbe, gjenerali Kosta Protiq – shtabi i të cilit ishte në Nish – i mori disa hapa me qëllim të njohjes, gjegjësisht hulumtimit sa më të mirë të trevave, sipas tij të “çliruara” nga Perandoria Osmane. Ndërkohë, ai i caktoi disa personalitete për të hulumtuar gjendjen agrare-juridike, atë monumentale të arkitekturës, shëndetë- sisë, arsimit dhe çështjeve tjera. Gjenerali Protiq e caktoi edhe Mita Rakiqin të hulumtonte gjendjen e përmendoreve të letërsisë së vjetër serbe dhe për këtë të përpilojë raporte zyrtare. Për këtë detyrë, ai ishte shumë i përshtatshëm. Dimitrije”Mita”Rakiq jetoi shkurt, por, megjithatë arriti që në disa vazhdime të shkruajë veprën “Putovanje po novoj Srbiji” (Udhëtimi nëpër Serbinë e Re) gjatë viteve 1878-`80. Në vazhdim po japim vetëm disa pjesë, ku ai përmend shqiptarët si popullatë shumicë, e cila ka populluar viset e Toplicës, Gollakut, Pusta Rekës dhe Jabllanicës.

E vajton humbjen e Llapit Për Kurshumlinë, si vendbanim shqiptarësh, ai thotë se ky vend”ka qenë çerdhe shqiptare, në të cilën ka jetuar dhe sunduar vetë shqiptari i pastër. Këtu kanë jetuar më të tmerrshmit, thënë të drejtën, të pavarurit”, ka thënë ai. Pas “humbjes” më saktësisht, pasi Llapi kishte mbetur, në anën tjetër të kufirit,nën Vilajetin e Kosovës, Rakiq shprehet: “Kam dhimbje për të, më duket se gjysma e zemrës më është shkulur. Aq shumë e dua dhe e çmoj, sa për të do ta jepja tërë Gollakun dhe tërë Arnautllëkun tonë. Më duket se kisha dashur që mos ta kisha parë kurrë. Sa keq më vjen për Llapin, nuk mundem ta harroj atë dhimbje!” Rakiq kishte vazhduar rrugën për t`u njoftuar me vendbanimet, sipas tij, të Arnautllëkut, duke i përshkruar në detaje: “Rruga nga Prokupla për Pusta Rekë dhe Leskoc shkon përgjatë lumit të Toplicës, në anën e majtë të tij, përgjatë malit Rastovnik, i cili shtrihet në anën e djathtë”.

Bashkudhëtari shqiptar Gjatë këtij rrugëtimi, Rakiq kishte një përcjellës shqiptar, siç e quan ai Zenil ( sigurisht se quhej Zenel), për të cilin thotë se ai nuk dinte t`i tregonte për kishat, të cilat ai më së shumti i hulumtonte. Në Mojkovc kishin gjetur dy shtëpi shqiptare dhe një serbe, shtëpitë tjera ishin të boshatisura dhe në të ishte një dervish i moshës 80 vjeçare, i cili ishte në gjendje të vështirë shëndetësore. Për çudi djali i tij me nusen e ushqenin dhe kujdeseshin për të, që për Rakiqin ishte një rast i rrallë. Dervishi edhe në këtë gjendje i shërbente popullit të tij, për ta shëruar nga sëmundjet e ndryshme. Nga Mojkovci, pak në të djathtë, jo më shumë se një çerek ore gjendet Obrazhda e boshatisur, si të gjitha fshatrat tjera, për habi ara të tëra të mbjella me drithëra. Edhe për Burincën të njëjtat fjalë: e boshatisur, e djegur, si gjithë fshatrat tjera. Nga ky fshat, shkruan Rakiq: “u ngritëm lart në Sh.Petri, morëm një pamje të shkëlqyeshme të sistemeve malore të “Serbisë së Re” (kështu e quan ai Arnautllakun) Kopaonikun, Xhakun, Hërticën, Mërkonjin, Gollakun, Guribabën, Crnivërh, Suva Pllaninën. Nga Sh.Petri, shkruan Rakiq, lëshohemi në fshatin Slushanë, i cili ishte fshat i madh, i bukur, i pasur dhe u takonte shqiptarëve, por tash është i zbrazët dhe i djegur. Fshati ka pasur edhe Xhaminë, në të cilën, gjatë luftës ishte spital, ndërsa në fshat ishte kryeshef sanitar i korit të Timokut.Nga një turk, në fshatin Byqmet kam dëgjuar disa herë të thonë Shlishanë, e jo Slishanë, si thonë serbët. Në juglindje të Bojnikut, pas gjysmë ore ecje ka qenë fshati shqiptar i quajtur Mrvesh, nëpër të cilin rrjedh lumi Gjacë. Për ndarjen e parë administrative, rrethi i Pusta Rekës ka qenë pjesë përbërëse e rrethit të Leskocit, i cili i ka pasur edhe dy rrethe: Veternicën dhe Vllasinën.

Fshatrat pa emër Për Pusta Rekën thotë se i ka pasur 112 fshatra, të përfshira në 5 komuna. “Për kuriozitet se janë dy fshatra, për të cilat pushteti nuk ka informacion se si emërtoheshin. Nuk kam informacion se a janë përfshirë edhe këto dy fshatra në këtë numër. Nuk është për t`u habitur: këto dy fshatra janë fshatra shqiptare, për të cilat serbët kurrë nuk kanë ditur gjë, ndërsa tash nuk ka shqiptarë në këto fshatra dhe kështu, askush nuk mund ta dijë se si janë quajtur këto dy fshatra”, shkruan Rakiq. Rakiq jep disa të dhëna për Pusta Rekën dhe vë në dyshim dhe shprehë habinë për emrin e këtij vendbanimi; “Sipas regjistrimit gjatë kohës së Komandës së lartë, në Pusta Rekë kanë qenë 1539 shtëpi shqiptarë, 638 serbë dhe 60 romë, porkur unë kam kaluar nëpër to, kanë ekzistuar vetëm ato serbe dhe rome, pra në Pusta Rekë kanë qenë vetëm 698 shtëpi”. Mandej ; “Nuk di pse kjo trevë quhet Pusta Reka (Lumi i zbrazët) kur nuk ishte i zbrazët, as me bereqet, as me popullsi: në të kundërtën, i banuar në mënyrë të dendur dhe me drithëra që e bëjnë trevë të e pasur. Por, nëse më parë nga padrejtësia është quajtur ashtu, tash edhe për nga drejtësia, edhe për nga vërtetësia Pusta Reka, ashtu e zbrazët, sado që duhet shumë vjet derisa të mos mbetet e zbrazët dhe të popullohet;mund të mendohet që edhe Gollaku i tërë të popullohet.

Përshkrimi i familjes shqiptare Në vazhdim Rakiq jep detale për objektet e banimit: “Në Toplicë, Llap dhe Pusta Rekë shtëpitë janë të ndërtuara me çatmë,në Gollak me dërrasa, ndërsa ato të serbëve janë kasolle të mbuluara me kashtë. Shqiptari është korpulent, i fortë dhe i racës së bukur. Ai është edhe më i pastër, po ashtu sikurse gruaja dhe fëmijët e tij. Gjithherë, rrobat i ka të pastra dhe peshqirin e pastër rreth kokës’. Rakiq, pa i kursyer serbet dhe pa ngurrim, përshkruan karakterin e shqiptarëve: “Ai (shqiptari) është mikpritës: në rrugë nëpër këto treva, vetëm shtëpitë e shqiptarëve i hapnin dyert për mua dhe më ofronin bukë, djathë dhe cicvara (ushqim i përgatitur me qumësht, djathë dhe miell), me atë që kishin. Në të kundërtën, në Prekopelicë (fshat i madh serb në Pusta Rekë), ku kisha rënë për tokë nga uria dhe lodhja, nuk kam mundur as në shtëpinë e kryeplakut, madje me pagesë, e lëre më pa pagesë, të marrë një copë bukë dhe djathë. Kjomë ka ndodhur edhe në Bojnik”. Më tej, autori bënë krahasimin në mes shqiptarëve dhe serbëve për nga pamja; “Por, arsyeja pse shqiptari është pa asnjë mëdyshje më shtatlartë, jo vetëm nga serbët në Serbinë e re (Arnautllëk), por edhe nga ne, në Serbinë e vjetër, është për shkak se ai kurrë nuk ka pi verë e as raki. Të rrallë janë ata, të cilët ngrehin ndonjë kafe. Ndërsa, besën e shqiptarit as që duhet përmendur”. Duke folur për traditat, Rakiq ka shtuar: “Është me rëndësi se shqiptarët janë të vetmit që kanë traditën e së kaluarës së këtyre vendeve, për kishat dhe muret e vjetra. Ata i dinë të gjitha rrugët, të gjitha kodrat e malet afër tyre, madje edhe ato që cilat janë edhe larg vendbanimeve të tyre. Serbët dinë vetëm për trevën e afërt të tyre, shpesh nuk dinë gjë as për rrethinën e tyre. Hanxhiu në Podujevë jeton njëzet vjet në Llap, nuk din si quhet asnjë majë malore, të cilat i shikon për çdo ditë rreth e përqark Llapit. Me shkuarjen e shqiptarëve nga këto treva, ne jemi privuar nga njohuritë aq të çmueshme për këto vende”