Tentoi t’ia jap 10 euro ryshfet policit kosovar, arrestohet serbi tek Dheu i Bardhë
Policia e Kosovës e ka arrestuar një shtetas të Serbisë për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”.
“Në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, në hyrje nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës, ka ardhur një automjet me targa të Republikës së Serbisë në të cilin ishin dy persona, shtetas të Serbisë.Gjatë kontrollimit dhe regjistrimit të dokumenteve të personave dhe automjetit, i dyshuari ka prezantuar dokumentet e nevojshme por nuk ka prezantuar dëshmi për bashkudhëtarin e tij, për kushtet e hyrjes në Republikën e Kosovës, i cili nuk kishte vaksinim të plotë kundër COVID-19. Nga zyrtarët policorë bashkudhëtarit i është refuzuar hyrja në RKS, bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat mbrojtëse kundër Covid-19”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari i ka ofruar 10 euro zyrtarit policor në kabinën e kontrollit,përcjell Klankosova.tv.
“Me këtë rast i dyshuari G.S. (1964), i ka ofruar ryshfet (10 euro) zyrtarit policor në kabinën e kontrollit, me qëllim të lejimit të hyrjes në RKS edhe për bashkudhëtarin i cili nuk plotësonte kushtet e hyrjes në RKS . Personi i dyshuar është arrestuar nga zyrtarët policorë dhe për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Dhënia e ryshfetit”, thuhet në njoftim.
Tutje, policia njofton se i dyshuar është intervistuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.