Showbiz

Incident: Aktori Alec Baldwin qëllon me armë dy persona gjatë xhirimeve

Aktori amerikan Alec Baldwin ka shtënë me një armë rekuizitë gjatë një xhirimi dhe ka goditur dy persona. Një kameramane ka vdekur ndërsa regjisori është plagosur.

Policia e Santa Fe (New Mexico) bën të ditur se kameramanja 42-vjeçare Halyna Hutchins u plagos për vdekje në këtë incident. Ndërsa regjisori Joel Souza (48) është plagosur dhe po trajtohet në spital.

Incidenti ka ndodhur të enjten gjatë xhirimit të filmit vestern “Rust”, në Bonanza Creek Ranch në New Mexico. 63-vjeçari Baldwin luante rolin kryesor në këtë film dhe është producenti kryesor i tij. Ndërsa Souza është i njohur edhe për regjinë e filmin triller “Crown Vic”.

Policia është njoftuar menjëherë për incidentin. Hutchins u dërgua në spital me helikopter por mjekët kanë mundur vetëm të konstatojnë vdekjen. Deri tani nuk dihet asgjë konkretisht për gjendjen e regjisorit Souza, i cili ndodhet në një spital në Santa Fe.

Hetuesit kanë marrë në pyetje dëshmitarët okularë, ndërkohë që po ekzaminohet edhe arma nga e cila janë shkrepur plumbat. Sipas policisë deri tani nuk ka asnjë kallëzim penal.