Të fundit

Sinani reagon pas ngjarjes në Ferizaj: Kjo vrasje e re makabre është fenomen në zhvillim

Kryetarja komunës Preshevës konsideron se ngjarja e vdekjes së 18 vjeçarës nfa Ferizaji është një akt i ulët dhe një fonomen në zhvillim që po ndodh së fundmi në shoqërinë tonë.

Reagimi i plotë i znj.Sinani :

Sot iu dha lamtumira e fundit Marigonës. Në Ferizaj. Vetëm disa dhjetëra kilometra nga Presheva.

Sikundër rastet e mëhershme të vrasjes së grave, kjo vrasje mizore nuk është rast i izoluar individual, që nuk ka të bëjë me neve dhe që nuk na takon ta flasim. Përkundrazi. E as nuk përmbyllet me dënimin meritor gjyqësor të kryerësve të krimit.

Kjo vrasje e re makabre është fenomen në zhvillim. Është produkt i mendësisë, rendit dhe normave patriarkale, të cilat janë të shtrira në strukturat sistemore e shoqërore, e që vazhdojnë ta mbajnë gjallë femicidin. Është alarm për sensibilizim, reflektim dhe vetëdijësim.

Kudo. Edhe te ne.

Për ta bërë vetëkritikën. Edhe si politikë. Për të pranuar se nuk kemi bërë sa duhet dhe si duhet. Për t’u pikëpyetur se çfarë institucione ndërtuam përgjatë gjithë këtyre viteve? Për t’i zbatuar ligjet për mbrojtje të viktimave dhe mbrojtjen nga dhuna në familje. Për t’i respektuar e avancuar të drejtat dhe liritë e gruas, që shkelen pothuajse çdo ditë.

Për të marrë përgjegjësi. Për të menduar si qytetar/e, se çfarë shoqërie ndërtuam dhe sidomos çfarë shoqërie duam të ndërtojmë? Çfarë edukimi duam? Çfarë arsimimi kemi?

Për ta luftuar normalizimin e dhunimit dhe vrasjes së grave. Jo vetëm si denoncim, por edhe si ndërgjegjësim. Pa kompromis kundër diskriminimeve, ngacmimeve, shfrytëzimeve, shtypjeve dhe dhunimeve mbi baza gjinore.

Marigonës ia lehtësojmë dheun edhe ne, duke u angazhuar çdo ditë e pa dallime, në luftën ndaj shkaqeve dhe arsyeve të mjedisit tonë, të cilat bëhen frymëzim të kriminelëve të tillë, që ia morën jetën në lulen e rinisë.

Prehu e qetë!