Akademik Rexhep Ismajli zgjedhet anëtar i jashtëm në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Akad. Rexhep Smajli, mesazh falënderimi: Uroj që Akademia e Shkencave e Shqipërisë, gjithë duke përthithur të renë, ta çojë më tej misionin e njohjes së përhershmërisë së vlerave të dijes e të shkencave
Akad. Rexhep Ismajli, profesor gjuhësie me veprimtari ligjëruese në Universitetin e Mynihut, të Ljubljanës dhe në atë të Prishtinës, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetar i mëparshëm i saj; anëtar i Akademisë Amerikane të Shkencave; anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve, anëtar i Rrjetit Ndërakademik të të Drejtave të Njeriut me qendër në Nju Jork ka shprehur në mbledhjen solmne të Asamblesë një mesazh falënderimi për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që e zgjodhi anëtar të jashtëm. Ai uroi që Akademia e Shkencave e Shqipërisë të vijojë ta selitë identitetin e vet si institucion i dijes dhe i shkencave edhe përtej dinamikave të zhvillimit duke e jetësuar misionin e të qenit vatër e dijes, e njohjes, e identifikimit dhe e pohimit të vlerave në fushat e dijes dhe të shkencave.
Akad. Rexhep Ismajli është autor i mbi 20 veprave monografike shkencore të botuara në Kosovë e Shqipëri dhe i mbi 100 artikujve shkencorë; përkthyes 18 veprave shkencore dhe letrare. Ka dhënë kontribute origjinale në disa fusha gjuhësisë shqiptare.
Mesazhi i falënderimit:
I nderuar z. Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi,
të nderuar akademikë,
Ju përshëndes të gjithëve përzemërsisht në këtë kuvend që shënon një segment në dinamizmin e rrjedhave dhe të zhvillimeve brenda shtetit të Shqipërisë, gjithsesi të ndërlidhura pashkëputshëm me rrjedhat në botën shqiptare dhe në botën ku përkasim.
Në zhvillimet dhe shqetësimet që shoqërojnë institucionin më të lartë të dijes dhe të shkencave në Republikën e Shqipërisë, kam qenë i nderuar të jem me Ju qysh nga vitit 2006 si anëtar i jashtëm dhe nga viti 2010 si anëtar nderi, duke jetuar bashkë dinamizmin e zhvillimeve të kësaj kohe, përfshirë transformimet që shënojnë horizontin e shtrirjes së veprimtarisë së institucionit më të lartë të dijes në Shtetin e Shqipërisë. Uroj për të gjithë ne që Akademia e Shkencave e Shqipërisë të vijojë ta selitë identitetin e vet si institucion i dijes dhe i shkencave edhe përtej dinamikave të zhvillimit duke e jetësuar misionin e të qenit vatër e dijes, e njohjes, e identifikimit dhe e pohimit të vlerave në fushat e dijes dhe të shkencave.
I ftuar dhe me ndjenjën e thellë të të nderuaruarit për të marrë pjesë në këtë Kuvend si anëtar i jashtëm i ASHSH-së (në rrjedhë të ndryshimeve në ligjet e vendit), uroj që institucioni ynë në mtesat e tij frymëgjata, gjithë duke përthithur të renë, ta çojë më tej misionin e njohjes së përhershmërisë së vlerave të dijes e të shkencave.
Me shumë respekt,
Rexhep Ismajli
www.akad.gov.al