Serbia “kampione”e vaksinimit kundër virusit në Evropën kontinentale
Nën kupolën gjigante të qendrës së panairit të Beogradit, dhjetëra infermierë të veshur me mantela mbrojtës vaksinojnë pa nda qytetarë: Serbia është kampione e vaksinimit kundër COVID-19 në Evropën kontinentale.
Në këtë vend të vogël të Ballkanit me shtatë milionë banorë, më shumë se 450.000 persona kanë marrë një dozë në një interval prej dy javësh, pra Serbia është e dyta ndër vendet evropiane pas Mbretërisë së Bashkuar, sipas publikimit shkencor Our World in Data, përcjell orange.fr raportin e AFP-së.
Vaksinat ruse dhe kineze
Në Bashkimin Evropian fushatat e vaksinimit po përballen me vonesa logjistike dhe kundërthënie mirëpo Serbia po i prin garës, e kthyer nga Lindja dhe prodhuesit kinezë e rusë. Në web-faqen qeveritare të dedikuar për këtë çështje, qytetarët ftohen të rrumbullakësojnë llojin e vaksinës që e preferojnë. Pfizer, Sputnik V dhe Sinopharm janë, aktualisht, në “meny”. Por, pjesa më e madhe është për prodhuesin kinez. Një million doza kanë ardhur në gjysmë të janarit, duke mundësuar fillimin e një fushate masive të vaksinimit.
“Marrëveshja e mirë” me Sinopharm
Presidenti Aleksandar Vuçiq e ka shpjeguar suksesin e vaksinimit në vendin e tij me miqësitë e tij personale dhe zotësitë diplomatike. Kështu, ai ka siguruar, pa dhënë shumë detaje, se ka arritur një “marrëveshje të mirë“ me gjigantin farmaceutik kinez. “I kam shkruar Xi Jinpingut në tetor dhe çmimi ka qenë goxha i ulët”, ka thënë ai lidhur me presidentin kinez. “Kur do ta shihni çmimin, ju do t’ma ndërtoni një përmendore”.
Efikasiteti i papritur
Kur shfaqen në qendrën e vaksinimit të Beogradit, qytetarët takohen shkurtimisht me një mjek, pastaj ndjekin një shirit të kuq në tokë deri në kabinat ku u jepet vaksina. E tërë procedura merr rreth 15 minuta kohë, të cilave u shtohen edhe një çast i përcjelljes së gjendjes post-injektim.
Në një vend përgjithësisht jo koprrac sa i përket burokracisë, efektiviteti i kësaj fushate kombëtare ka befasuar shumëkënd. Rezultati, u administruan 7.5 doza për 100 banorë, kundrejt 2.5 në Francë ose 3.2 në Gjermani, sipas të dhënave të Our world in data.
Në qendrën e panaireve në Beograd, mjekja Dragana Millosheviq shpjegon se deri në 2,000 persona vaksinohen, pa problem, në ditë. “Nuk ka pasur absolutisht asnjë efekt të padëshirueshëm deri më tani”, thotë ajo.
“Shpëtimi i Serbisë”
Përveç vaksinave kineze, Serbia ka marrë po ashtu 30 mijë doza nga prodhuesi amerikano-gjerman Pfizer BioNtech dhe 40 mijë vaksina ruse Sputnik V, transmeton kallxo.
Serbia do të marrë nga “miqtë“ një milion doza shtesë para marsit, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
Një tabloid proqeveritar shkruante: “Vuçiq, Putin e Xi po e shpëtojnë Serbinë“.
Në të njëjtën kohë, BE është akuzuar se u aka kthyer shpinën fqinjve në Ballkanin Perëndimor në garën për vaksina.
Përveç Shqipërisë, Serbia është vendi i vetëm në rajon që ka filluar vaksinimin falë marrëveshjeve vetanake me grupet farmaceutike.
Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të mbetura anash nga fillimi, në dhjetor, i fushatave në BE, ende presin dozat e premtuara në kuadër të COVAX, një dispozitiv i destinnar të furnizojë me vaksina vendet më të pazhvilluara.
Në BE, Hungaria është vendi i vetëm që ka dhënë dritën jeshile për vaksinat kineze e ruse, të cilat po shikohen me mosbesim në Perëndim për shkak të mungesës së transparencës nga prodhuesit dhe rreth të dhënave klinike.