Lajme

Zvicra pritet të fusë Shqipërinë dhe Serbinë në listën e re të karantinës

Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) ndryshon listën e saj të karantinës në çdo dy javë. Kështu, pritet që së shpejti ajo ta bëjë riaktualizimin e radhës.

Llogaritja është shumë e thjeshtë: shqyrtohet numri i infeksioneve për 100,000 banorë brenda dy javëve të fundit. Të gjitha vendet, vlera e infeksionit e të cilave është për 60 më e lartë se ajo e Zvicrës futen në listën e karantinës.

Përjashtim bëhet këtu vetëm për rajonet kufitare me Zvicrën.

Duke u mbështetur në të dhënat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, lista e radhës mund të parashikohet afërsisht, shkruan blick.ch.

Kështu, Zvicra aktualisht ose në dy javët e fundit, ka 238 mesatarisht infeksione për 100.000 banorë (gjendja: 5 shkurt, 7:30 e mëngjesit), transmeton albinfo.ch. Kështu, të gjitha vendet që kanë nga 298 infeksione e më shumë në 100 mijë banorë pritet të futen në listë.

Në Evropë, Qiproja, me 204 infeksione, mund të bjerë përsëri nga lista e karantinës.

Por, nga ana tjetër janë disa vendesh evropiane që mund të preken, gjegjësisht të futen sërish në listë, përcjell albinfo.ch. Fjala është për Shqipërinë e cila sipas OBSH ka 406 raste në 100.000 banorë, Serbinë (336) ose Luksemburgun (313).

Në Francë “rrezikohen” rajonet si: Ile-de-France, Occitanie, Hauts-de-France, Center-Val de Loire, Normandie, Nouvelle-Aquitaine France dhe Pays de la Loire. Ndërsa në Itali, nga ana tjetër, mund të goditen: Umbria, Pulia dhe Abruzzo.