Rikthehet Gjykata Themelore në Preshevë, Arifi po realizohet premtimi
Shqiprim Arifi përmes një postimi në FB, ka bërë ditur lajmin e rikthimit të Gjykatës Themelore në Preshevë, premtim ky që ishte bërë nga Arifi vite më parë, raporton Ministria e Lajmeve
“Ashtu siç ju kemi premtuar, ashtu edhe po bëhet, Gjykata themelore po kthehet në Preshevë më 3 Janar 2021” shkroi Arifi.
Arifi poashtu deklaroi se pas një sfide të mundimshme të spikatur me burokraci të pafund, ja arritëm të kthejmë përsëri pas dekadave Gjykatën Themelore në Preshevë.
“Falënderoj nga zemra bashkëpuntorët e mi në adminstratën lokale në Preshevë për këtë punë të palodhshme si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë projekt me rëndësi vitale për qytetarët e Komunës së Preshevës. Gjykata Themelore në fillimin ka një orar të reduktuar, ndërsa në pjesën e dytë të projektit do t`i plotësojmë kushtet ligjore për të kompletuar orarin e seancave gjyqësore në Preshevë.” shtoi Arifi.
Vlen të theksohet se rikthimi i Gjykatës dhe Prokurorisë në Preshevë është paralajmëruar disa herë nga ana e Kryetarit Shqiprim Arifi. Fillimisht kur subjekti politik Alternativa për Ndryshime ishte në themelimin e sipër ishte organizuar një peticion i qytetarëve me kërkesën për rikthimin e këtyre institucioneve në Preshevë. Në fushatën e vitit 2016 APN kishte premtuar se me ardhjen e saj në pushtet ky rikthim edhe do të ndodh. Më pas, në janarin e vitit 2017 Kryetari Arifi kishte premtuar se në shtatorin e vitit 2017 do të rikthen Gjykatën dhe Prokurorinë.