Mustafa: Pozitat që i mban sot Vjosa i ka falë meje dhe LDK-së
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e pozitës së presidentit, Vjosa Osmani, këtë të premte kishte zgjedhur Televizionin Publik të Kosovës për t’i qeruar hesapet me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Përmes valëve të RTK’së, Osmani mbrëmë i dha opinionit kumtin se rrugëtimin e saj politik do ta vazhdojë e vetme dhe se nuk do të bashkëpunojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, meqë sipas saj, kjo parti ka mbajtur në pushtet kapësit e shtetit.
Përveç kësaj, kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se tashmë partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova i ka mbetur vetëm llogo-ja dhe se votuesit i përfaqëson vetëm ajo.
Lidhur me këto akuza të Osmanit, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Isa Mustafa ia ka rikujtuar Osmanit faktin se Lidhja Demokratike e Kosovës i ka humbur zgjedhjet e 6 tetorit dhe thotë se bazuar në atë rezultat zgjedhor, qytetarët e kanë votuar Osmanin vetëm për deputete.
“Lista zgjedhore, në të gjitha zgjedhjet ka qenë e LDK-së, me logo të LDK-së, e përkrahur nga të gjitha strukturat e partisë dhe e votuar nga anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së. Të gjitha pozitat që i mbajnë njerëzit e LDK-së, janë rezultat i politikave të LDK-së. Zgjedhjet e vitit të kaluar nuk janë fituar.I kemi humbur. Sipas këtyre rezultateve, qytetarët e kanë votuar Vjosën vetëm për deputete”, ka thënë Mustafa.
Ish-kryeministri dhe i pari i LDK’së thotë se të dy pozitat që sot i mban Vjosa Osmani, pra atë të kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentit, janë si rezultat i politikave të partisë dhe vetë Mustafës si kryetar, e jo si rezultat i votave.
Mustafa në këtë intervistë thotë se në negociatat më Lëvizjen Vetëvendosje për koalicion, kishte kushtëzuar Albin Kurtin që ta shkarkonte Glauk Konjufcën nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe në atë pozitë të vendosej Vjosa Osmani.