Zidane në “rrezik serioz”, pasi kriza e Realit po thellohet
Stadiumi Olimpik i Kievit ishte skena e qëndrimit të fundit të Zinedine Zidanet si trajner i Real Madrid para se të jepte dorëheqjen në mënyrë befasuese në maj të vitit 2018 dhe kjo arenë mund të parashikojë fillimin e fundit për mandatin e tij të dytë te madrilenët pas humbjes të së martës nga Shakhtar Donetsku.
Humbja 2:0 e la Madridin të shikojë potencialisht për një dalje nga faza e grupeve të Ligës së Kampionëve për herë të parë, por edhe nëse ata arrijnë ta mposhtin Borussia Moenchengladbachun javën e ardhshme dhe të përparojnë, mund të mos jetë e mjaftueshme për ta shpëtuar Zidanen. Zidane e tronditi botën e futbollit duke u larguar si trajner i Real Madridit, pasi fitoi trofeun e tretë rresht të Ligës së Kampionëve duke mundur Liverpoolin në kryeqytetin ukrainas në vitin 2018. Megjithatë, ai këmbënguli se nuk kishte asnjë shans që ta hidhte peshqirin këtë herë përkundër rezultateve jo të mira. Mirëpo, sipas mediave spanjolle, presidenti i Madridit, Florentino Perez, mund të marrë vendimin për të pasi tashmë ka filluar të shikojë për pasardhësin e tij.
“Zidane është në rrezik serioz”, shkroi gazeta spanjolle “El Mundo” të mërkurën. “Humbja ishte aq mallkuese sa ishte e vështirë të llogaritej numri i njerëzve përgjegjës. Zidane ka për detyrë t’i rregullojë gjërat urgjentisht, por trajneri mund të mos arrijë as për ndeshjen e fundit në grup. Tani prania e tij kundër Borussia Moenchengladbachut është në rrezik”.
Ndërkohë, gazeta tjetër “El Pais” ka shtuar: “Me kaq pak, një Shakhtar i zakonshëm u largua nga Madridi duke u dridhur”.
Kjo ishte humbja e pestë e Madridit në 11 ndeshje dhe ndërsa ata mund të tregonin mungesat e lojtarëve kryesorë, si kapiteni Sergio Ramos, mbrojtësi i djathtë Dani Carvajal dhe transferimi rekord Eden Hazard, problemet në klub janë të thella. Raphael Varane, një lojtar që ka fituar katër herë Ligën e Kampionëve dhe një kupë të botës, përsëri humbi përqendrimin në një moment vendimtar për të lejuar Dentinhon të shënonte golin e epërsisë dhe pa Ramosin në krah të tij, francezi po duket gjithnjë e më pak stabil. Megjithatë, më shqetësuese është paaftësia e Madridit për të krijuar raste dhe rrezik për kundërshtarë. Sulmuesi Karim Benzema është kërcënimi i tyre i vetëm i vërtetë dhe sapo është kthyer nga lëndimi që e mbajti tre javë larg fushës, ndërsa Marco Asensio nuk është i njëjti lojtar qëkur humbi pjesën më të madhe të edicionit të fundit pas një dëmtimi serioz në gju. Fuqia e Zidanet si një motivues dhe zgjidhës i problemeve gjithashtu duket se po zbehet, e dëshmuar nga paraqitja e dobët e Real Madridit në pjesën e dytë kundër Shakhtarit.
“Nuk e kam ndërmend të ofroj dorëheqje, as që më shkon ndërmend. Ne gjithmonë do të kemi momente të vështira dhe jemi në një seri negative të rezultateve, por duhet të vazhdojmë përpara. E kam forcën e duhur për ta kthyer situatën në favorin tonë dhe për këtë do ta bëj të pamundurën, së bashku me futbollistët”, ka insistuar Zidane.