Lajme

Gjendet Jetmir Rudi, personi nga Malisheva që dyshohet se ishte rrëmbyer

Jetmir Rudi nga Malisheva që thuhej se ishte zhdukur gjatë së shtunës, është bërë e ditur se është gjetur dhe kanë filluar trajtimin mjekësor ndaj tij.

Rastin për KOHËN e ka konfirmuar nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, i cili ka thënë se Rudi është gjetur para pak minutash dhe është dërguar për në QKUK.

Dyshimet e para thonë se personi ishte rrëmbyer nga disa të dyshuar. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, i ka thënë KOHËS se Jetmir Rudi ishte raportuar i zhdukur nga vëllai i tij, të dielën rreth orës 09:00.

“Ju njoftojmë se sot me datë 22.11.2020 rreth orës 09:00 në Stacionin Policor – Malishevë, ka ardhur familjari i personit të zhdukur dhe i cili njoftoi se dje me datë 21.11.2020 rreth orës 17:00 vëllai i tij J.Sh.R, lindur më 1993, kishte dalë nga shtëpia në fshatin Rud, dhe qe nga ajo kohë edhe pas kërkimit tek të afërmit e tyre, nuk kanë mundur të kontaktojnë me të. Sipas informacioneve, bëhet fjalë për kidnapim”, ka thënë Policia.

KOHA, pas konfirmimit nga nënkryetari i Malishevës se personi është gjetur, ka kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe të njëjtit kanë deklaruar se do lëshojnë njoftim në vazhdim.