“Një hero i luftës i kthyer në politikan”, mediat ndërkombëtare jehonë arrestimit të Thaçit
Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë arrestimit të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi të akuzuar për krime lufte përgjatë viteve 1998-1999 në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore (Kukës dhe Cahan). Mediat prestigjoze britanike, amerikane por edhe ato të vendeve fqinje kanë hapur faqet e tyre me lajmin për arrestimin e ish-kreut të shtetit të Kosovës. Lajmi është pasqyruar përgjatë orëve të së enjtes në Reuters, AlJazeera, BBC, The Washington Post, New York Times, Protothema, Swissinfo.ch etj.
“Ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, një hero i luftës i kthyer në politikan, u arrestua dhe u transferua në qendrën e paraburgimit të Tribunalit të Kosovës në Hagë, Hollandë, të Enjten për t’u përballur me akuza për krime lufte. Thaçi kishte dhënë dorëheqjen me efekt të menjëhershëm më parë gjatë ditës pasi mësoi se gjykata kishte konfirmuar një padi për krime lufte kundër tij”, citon Reuters.
Bashkë me Thaçin u arrestuan edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të cilët aktualisht po mbahen në paraburgimin e Hagës në Roterdam të Holandës. Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se mes muajve mars 1998 dhe shtator 1999 janë kryer krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Sot pas konfirmimit të aktakuzës, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës./mv.abcnews.al