Koalicioni i shqiptarëve refuzon të bëhet pjesë e qeverisë së re të Malit të Zi
Koalicioni i shqiptarëve të Malit të Zi “Bashkë një za”, të cilët në zgjedhjet parlamentare arritën të fitojnë një ulëse në Kuvendin malazez, e kanë njoftuar mandatarin për formimin e qeverisë, Zdravko Krivokapiq se nuk do të jenë pjesë e ekzekutivit.
Në letrën dërguar Krivokapiqit nga Fatmir Gjeka, jepen arsyet se pse shqiptarët e kësaj liste nuk mund të jenë pjesë e Qeverisë së re të Malit të Zi.
RTK-ja e ka siguruar ekskluzvisht letrën ku përmenden shtatë pikat kontestuese që shqiptarët nuk pranojnë të bashkëqeverisin me fituesit e zgjedhjeve në Mal të Zi.
Letra e plotë:
Koalicioni shqiptar „Bashkë nji za“
I nderuari mandatar Krivokapiq,
Ju falenderojmë për ftesën në bisedimet për pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme. Pas konsultimeve brenda koalicionit tonë, kemi ardhë në përfundim se ky takim, përveçse një takimi rasti, do të ishte, megjithatë humbje kohe. Sepse, ne nuk mund të jemi pjesë e qeverisë së Malit të Zi të cilën kryesisht e përbëjnë ato parti dhe politika të cilat nuk dëshirojnë barazinë e shqiptarëve në këtë shtet dhe me të cilat kemi dallime diamertralisht të kundërta, programore dhe strategjike.
Në fakt,
1. Ato (partitë) nuk kanë votuar që Tuzi të jetë komunë e pavarur.
2. Ato nuk e kanë votuar Ligjin për përdorimin e simboleve nacionale, që do të thotë edhe flamurit shqiptar në Mal të Zi.
3. Ato shtetin e Kosovës e quajnë të rrejshëm, madje edhe terrorist.
5. Liderët e tyre në fillim të shekullit 21, ëndërrojnë për marrjen e Shkodrës dhe Dubrovnikut, Pejës e Prizrenit, flasin për gërmimin e armëve…
6. Ato anëtarësimin e Malit të Zi në NATO e konsiderojnë gabim, sikur edhe pavarësimin e Malit të Zi.
7. Mbështesin tendencat e përvetësimit të kulteve tona të përbashkëta ( Rumisë, Shasit, Martinajve, manastirit ne Krajë…), të cilave Kisha ortodokse ua prekë themelet multietnike dhe miltikonfesionale të realitetit në këtë vend.
Zotëri Krivokapić, do të ishim të lumtur nëse do të mund të dëshmonim që të gjitha këto nuk janë të vërteta. Nëse me veprime konkrete na bindni në të kundërtën, do të jemi pafundësisht të gëzuar. Sigurisht, do te mbështesim në Parlamentin e Malit të Zi çdo vendim ose ose akt ligjor për të cilat do të vlerësojmë që janë në interes të të përgjithsëm. Duke ju uruar suksese në punën tuaj, Ju përshëndesim përzemërsisht.