Me parakalimin e veturave u mbajt sot “Parada e Krenarisë” në Prishtinë
30 vetura të mbuluara me flamuj të komunitetit LGBTI parakaluan sot në rrugët e Prishtinës për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të komunitetit LGBT.
Persona nga komuniteti, përkrahës, aktivistë e zyrtarë dolën që të shënojnë këtë ditë në kushte pandemie.
Lendi Mustafa nga Qendra për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBTI (CEL) tha për KALLXO.com se për shkak të masave kundër përhapjes së pandemisë këtë vit paradën e mbajnë vetëm sot, me parakalimin e 30 veturave, me nga tre persona brenda.
“Për ne ka qenë shumë me rëndësi ta shënojmë Ditën e Krenarisë, ta zhvillojmë Paradën në këtë formë apo një tjetër” tha Mustafa.
Mustafa tha se për idenë e realizimit të paradës në këtë formë janë frymëzuar nga parada e mbajtur në Bosnjë dhe Hercegovinë.