Nisin arrestimet nga Specialja
Gjykata Speciale ka nisur arrestimet. Salih Mustafa, ish-shefi i inteligjencës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i arrestuari i parë. Ndaj tij është konfirmuar edhe aktakuza, ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale.
Në një komunikatë për media, Specialja ka konfirmuar se Mustafa është arrestuar në Kosovë dhe po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas njoftimit, ai u arrestua në bazë të një fletarresti, urdhri për transferim dhe aktakuzë të konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Specialja nuk ka dhënë detaje tjera teksa ka shtuar se informacionet e mëtejme do t’i japë në kohë të duhur.
Sali Mustafa-Cali gjatë kohës së luftës së UÇK-së ka qenë epror i Zonës Operative të Llapit.