Vuçiqi falënderon udhëheqësinë palestineze për mosnjohjen e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka pranuar të martën në takim ambasadorin palestinez në këtë shtet, Mohamed Nabhan, duke e njoftuar rreth bisedimeve të zhvilluara nga delegacioni serb në Washington dhe Bruksel.
Sipas njoftimit të kabinetit të Vuçiqit, Nabhanit i është thënë se Serbia po e respekton dhe ruan miqësinë me Paletinën dhe popullin palestinez dhe se e mbështet arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.
“Serbia është e përkushtuar për avancimin e raporteve, edhe me Izraelin e edhe me Palestinën, teksa dëshiron zgjidhje të qëndrueshme mbi bazën e normave ndërkombëtare, të konfirmuara në OKB, të cilat do të sillnin paqe, stabilitet dhe progres për të gjithë”, ka thënë Vuçiqi, duke e falënderuar udhëheqësinë palestineze rreth “qëndrimit parimor për mosnjohjen e Kosovës”.
Ambasadori Nabhan ndërkaq i ka thënë se Palestina e çmon Serbinë, me të cilën ka raporte të thella miqësore dhe se rrjedhimisht me shqetësim është pranuar lajmi për zhvendosjen e mundshme të ambasadës serbe në Jerusalem.