Lajme

Vuçiqi: Netanyahut do t’ia shpreh mospajtimin rreth njohjes së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar të enjten se gjatë bisedës me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyanu do ta porosisë se Serbia e ka dëshmuar miqësinë e madhe, porse nuk do të pajtohet me vendimin e Izraelit për njohjen e Kosovës.

I pyetur rreth pikës së marrëveshjes, përmes së cilës Serbia e ka marrë përsipër ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, deri në korrik të vitit 2021, Vuçiqi ka thënë se Izraeli paraqet aleatin më të madh të Amerikës dhe se ajo në mënyra të ndryshme ka ndikuar edhe në raportet e Izraelit me Kosovën.

“Propozim i SHBA-së ishte – ju e pranoni Kosovën dhe ne pajtohemi që të njihen mes vete Kosova dhe Izraeli, gjë të cilën nuk e pranuan”, ka thënë Vuçiqi në intervistën për transmetuesin shtetëror serb, RTS.

Ai gjatë kësaj interviste po ashtu ka thënë se SHBA-ja tani ia ka hapur dyert edhe Serbisë dhe se për herë të parë shteti i tij vlerësohet si partner i rëndësishëm.

Sipas presidentit serb, Serbia deri më tani nuk ka pasur fare mbështetje në SHBA dhe se ato dyer për të kanë qenë përherë të mbyllura.

“Tri herë jam takuar me nënpresidentë të SHBA-së, por Shtëpia e Bardhë nuk ka qenë kurrë në esencë e hapur për serbët – deri më tani”, ka theksuar Vuçiqi.

Siç ka thënë ai, Shtëpia e Bardhë ka qenë e rezervuar për shqiptarët dhe tjerët “që kanë qenë kundër serbëve, por që tani gjërat janë ndryshe”.

“Bëmë çmos që Serbia ta ruajë paqen dhe të mos humbasë asgjë”, ka thënë ai.

Ai konsideron se Kosova tani do të përmbushë të gjitha pikat e marrëveshjes dhe se nuk do të rrezikojë që amerikanët ta ndryshojnë qasjen karshi tyre.