Maqedoni

“29 vjet pavarësi”, partitë politike shqiptare: Kërkesat e shqiptarëve për barazi larg realizimit

29 vjet pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, partitë politike shqiptare vlerësojnë se kërkesa e shqiptarëve për shtet të drejtë multi-etnik është ende larg realizimit. Elmi Aziri nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët- Alternativa thotë se në vend të mundësive të barabarta, qytetarët shqiptarë ende përballen me hendek të madh në zhvillimin ekonomik, social e kulturor krahasuar me bashkë-qytetarët maqedonas.

Shqiptarët që nga pavarësimi i vendit kërkuan ndërtimin e një shteti multi-etnik, me oportunitete apo mundësi të barabarta, ku do të respektohet dhe do të kultivohet diversiteti kulturor dhe etnik dhe ku të gjithë qytetarët do të kenë të drejta identike. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite ne jemi larg realizimit të këtij synimi. Shqiptarët ende në Kushtetutën e vendit figurojnë si kategori statistikore dhe e dimë që kategoria statistikore nuk mund të jetë popull shtet-formues – deklaroi Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.

Koalicioni ASH-AAA thekson nevojën për rishqyrtim të rendit kushtetues në gjendje paqe, pasi siç thonë, ndryshimet nën presion të dhunës në 91-shin dhe në 2001-shin nuk kanë dhënë efektet e dëshiruara. Lëvizja Besa vlerëson se gjatë këtyre viteve nuk është bërë mjaftueshëm për shqiptarët, edhe pse ka patur mundësi për t’u bërë më shumë. Thonë se shqiptarët ende nuk ndjehen plotësisht të barabartë në këtë shtet dhe zotohen se do të angazhohen për ta përmirësuar këtë gjendje.