FutbollSporti

Dënohet djegia e flamurit të Greqisë me të cilën Kosova përballet më 6 shtator në Prishtinë

Flamurin e Greqisë, të kthyer përmbys, e mbanin dy tifozë. Ata në njërën dorë mbanin nga një mjet ndezës, ndërsa pas tyre qëndronin afro 30 tifozë që kishin shpalosur një fotografi të madhe të heroit Agim Ramadani dhe një pano me shkrimin UÇK, ndër të tjera. Disa prej tifozëve mbanin shalle të tifo-grupit të tyre “Skifterat” e ndonjëri mbante veshur fanellën e Gjilanit.

Pasi grupi nisi thirrjet në formë kënge “Kosova është zemra e Shqipërisë”, dy tifozët që e mbanin flamurin e Greqisë ia futën zjarrin atij me mjetet ndezëse që kishin në duar. Për pak sekonda flamuri grek u djeg i tëri.

Tërë këtë skenë “Skifterat” e Gjilanit e kanë incizuar dhe e kanë publikuar në faqen zyrtare në Facebook “Ultras Skifterat”.

“Nuk u lejuam rreth stadiumit ‘Skifterat’ sonte, pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë”, ka shkruar tifo-grupi gjilanas.

Ky veprim, që ndodhi të enjten mbrëma, ka bërë bujë të premten në vend. Kanë reaguar institucione të politikës, të sigurisë dhe ato sportive. Është dënuar nga të gjithë, por “Skifterat” i kanë qëndruar prapa veprimit, ndonëse mund t’i kushtojë ndonjërit prej tyre.

“Ky akt i grupit tonë mbrëmë vjen si pasojë dhe si përgjigje ndaj veprimeve të tifozërisë qipriote, që vazhdimisht në ndeshje paraqet parulla kundër Kosovës dhe mesazhe prosllave në stadiume. Të gjithë ata që na gjykuan për këtë akt le të kursehen për flamurin e radhës”, kanë shkruar “Skifterat”.

Skuadra që ata e përkrahin, por ndaj së cilës kanë reaguar ashpër të premten, Gjilani ka luajtur ndaj APOEL-it qipriot të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Ndeshja Gjilani – APOEL ishte e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. APOEL-i, që është klubi më i madh qipriot, fitoi 2:0 pas kohës shtesë, por paraqitja e Gjilanit u vlerësua lart, shkruan KOHA Ditore.

Për shkak të pandemisë COVID-19, ndeshja u luajt pa shikues në stadium. Tifozët e Gjilanit, një grup i tyre, megjithatë udhëtuan për në Prishtinë. Atë që e planifikuan e realizuan në shesh, pa u penguar. Dhe të premten kanë reaguar ashpër përmes komenteve pasi klubi dënoi veprimin e tyre.

Gjilani ka vlerësuar se bëhet fjalë për një veprim të disa individëve. Gjilani ka dënuar rëndë djegien e flamurit. E ka vlerësuar akt jo të hijshëm.

“Vepra të tilla nuk kanë vend në sportin më të popullarizuar në botë, e aq më pak neve si komb ku duhet të jemi shembull në mikpritjen e ekspeditave udhëtuese në vendin tonë”, ka shkruar Gjilani në reagimin e publikuar të premten.

Ka reaguar, ndër të tjera, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, që ka dënuar ashpër “aktin e shëmtuar të djegies së flamurit grek në Prishtinë”.

“Dënojmë fuqishëm çdo lloj akti fyes të simbolit kombëtar të cilitdo shtet, në rastin konkret të Greqisë. Kosova dhe Greqia kanë vendosur dialog praktik, kanë zyra ndërlidhëse në kryeqendrat e tyre dhe të dyja palët punojnë për të thelluar dialogun edhe më tej”, ka thënë e para kësaj ministrie, Meliza Haradinaj -Stublla.

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë thirrje që organet e rendit të reagojnë shpejt dhe të vendosin para drejtësisë autorët.

Ka reaguar edhe Këshilli për Parandalimin dhe Luftimin e Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive. Edhe ky këshill ka bërë thirrje që të hetohen dhe zbulohen kryerësit e këtij akti sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që ata të marrin dënimin e merituar.

Nuk ka munguar edhe reagimi i Federatës së Futbollit të Kosovës, që i është bashkuar dënimit të djegies së flamurit grek.