Arifi: Po punojmë që ta jetësojmë bashkë idenë e Lutfi Hazirit për bashkimin e shqiptarëve të Luginës me Kosovën
Idenë e nënkryetarit të LDK’së, Lutfi Hazirit, për bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, po e përkrahin edhe eksponentët politikë të kësaj treve, shkruan Mediafokus.info.
Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, në një prononcim për Mediafokus.info, ka thënë se shpreson që të jetësohet vullneti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës, i dalë nga referendum i vitit 1992.
“Ne kemi mbajtur Referendum para 30 viteve dhe vullneti shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ka qenë që t’i bashkangjitemi Kosovës. Ende jemi duke punuar në atë drejtim dhe shpresojmë që vullneti i qytetarëve një ditë do të bëhet realitet. E falënderojmë z. Lutfi Haziri që po e jep kontributin në këtë drejtim”, ka thënë Arifi për mediafokus.info
“Po punojmë që ta jetësojmë bashkë idenë e Lutfi Hazirit për bashkimin e shqiptarëve të Luginës me Kosovën”, ka shtuar kreu i Bujanocit.
Përndryshe, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, e ka proklamuar idenë e bashkimit të, sic i referohet ai, Kosovës Lindore me Kosovën, në nëntorin e vitit 2011.
Që prej asaj deklarate, tash e një dekadë bëhet debat i madh në Kosovë dhe më gjerë, nëse duhet apo jo kjo çëshje të jetë kjo temë e negociatave për marrëveshje finale me Serbinë.