Lajme

Nga një muaj paraburgim dy personave që sulmuan policët në Ferizaj

Është caktuar paraburgim ndaj dy personave që sulmuan dy policë mbrëmjen e së premtes në Ferizaj.

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit E.G dhe E.E, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale sulm ndaj personave zyrtarë.

“Të pandehurit dyshohet se më 14 gusht 2020 në Ferizaj, nuk kanë dëgjuar urdhrat e zyrtarëve policorë sipas Planit Operativ për zbatimin e masave kundër Pandemisë Covid 19, dhe nuk i kanë vendosur maskat mbrojtëse, ashtu që në momentin kur policët kanë kërkuar nga ta që të identifikohen, të pandehurit fillimisht kanë filluar që të fyejnë policët, pastaj kanë vazhduar duke sulmuar policin – të dëmtuarin me grusht në fytyrë, ndërsa i pandehuri E. E, e kap për fyti të dëmtuarin-policin dhe të njëjtin e tërheq zvarrë për disa metra, me këtë rast policët janë detyruar që të përdorin sprej për t’i futur nën kontroll të pandehurit”, thuhet në njoftimin e Themelores.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Elmaz Zenuni, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.