ARKIVA

Shkolla në fshatin Zarbicë të Bujanocit një tempull i dijës në harresën e viteve

Trashëgimia kulturore e materiale e një vendi është dëshmia më e mirë e të kaluarës së tij historike.

Në Malësinë tonë në Zarbicë, çdo ditë e më tepër po humbin gjurmët e fundit të kaluarës sonë kulturo-historike. Një gjë e tillë po i ndodh edhe ish Mejtepit e më vonë Shkollës së parë shqipe, të cilës dita ditës po i shemben edhe muret e fundit.

Në bazë të dëshmive të shkruara një lloj shkolle-mejtepi ka ekzistuar diku gjatë viteve 1900 apo 1901 në vendin tonë me mësues të parë hoxhën inovator Hasan Masurica, e që natyrshëm na bënë të mendojmë që pikërisht në këtë ndërtesë duhet të jetë zhvilluar mësimi.

Ndërsa me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht në vitin 1946 në Zarbicë është hapur Shkolla e parë shqipe tetëvjeçare me emrin e heroit tonë kombëtar “Skënderbeu” me mësues të parë pishtarin e arsimit shqip, Tahir Berisha.

Siç shihet kjo ndërtesë nuk është vetëm një objekt, mirëpo brenda vetës ngërthen historinë, kulturën, arkitekturën, arsimin, trashëgimin e mirëfilltë materiale e çka tjetër.

Andaj sa nuk janë mbuluar nga pluhuri i harresës muret e fundit të këtij tempulli të dijës, duhet gjithësecili nga ne të marrë një nismë për rindërtimin e saj, deri sa nuk është bërë tepër vonë.

Pikë së pari barra bie mbi Komunën e Bujanocit, e më pas edhe të çdo banori dashamirës të asaj ane.

Për nder të kujtimit të baballarëve tanë, të cilët janë ulur për herë të parë në bankat e asaj shkolle për të mësuar Abc-në e gjuhës shqipe nuk duhet lënë pa e rindërtuar edhe njëherë atë shkollë.

Fundja, kjo ish ndërtesë shkollore bart mbi vete një pjesë të rëndësishme identitare jo vetëm për Zarbicën, por, edhe për mbarë Malësinë e Bujanocit.

Ky tekst i është dërguar redaksisë së Titulli.com dhe është shkruar nga Nexhmedin Sejdiu