Albulena Haxhiu: S’ka dialog me Serbinë pa u mbajtë zgjedhjet në Kosovë
Ish-Ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e VV’së Albulena Haxhiu ka thënë se nuk mund të ketë dialog pa zgjedhje demokratike paraprakisht.
Haxhiu ka thënë se kryeministri Hoti dhe koordinatori Hyseni janë pjesë e projekteve të rrezikshme të presidentit Thaçi.
“Rrëzimi i qeverisë Kurti dhe përmbysja e vullnetit të 6 tetorit tregon qartë se Hoti e Hyseni janë pjesë e projekteve të rrezikshme të presidentit Thaçi. Këta që në fillim i kanë zbatuar kërkesat e Serbisë duke hequr reciprocitetin dhe duke hequr dorë nga anëtarësimet në organizmat ndërkombëtar. Këto janë premisat e një pazari të keq. Ndërkohë janë mbajtur disa seanca ku z.Hoti lëre që nuk ka as mbështjetje as platformë e nuk ka krijuar as unitet, por nuk ka treguar as më të voglën fjalë se çfarë po bisedohet në këto negociata”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo tutje ka thënë se nuk mund të përfaqësojnë Kosovën persona që nuk kanë marrë as më të voglin besim qytetar.
“Nuk mundet një qeveri ilegale, ilegjitime të sjelli marrëveshje e aq më pak persona që nuk kanë marrë as më të voglin besim qytetarë të përfaqësojnë Kosovën.
Kjo gjë ka marrë fund. Ata mund të shëtiten gjithandej, por pazaret këtu nuk kanë vend.
Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa zgjedhje demokratike paraprakisht”, ka shkruar tutje Haxhiu.