Bota

Holanda heq kufizimet dy muaj më herët se që kishte planifikuar

Holanda ka nisur t’i kthehet normalitetit, pas disa muajve me masa kufizuese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kryeministri Mark Rutte tha të mërkurën mbrëma në Hagë se heqja e kufizimeve po bëhet dy muaj më herët se që ishte planifikuar.

“Distanca sociale prej 1.5 metra mbetët rregull”, tha Rutte. “Vala e dytë e koronavirusit duhet të ndalohet”.

Kinematë, objektet fetare dhe restorantet nga 1 korriku do të mund të pranojnë njerëz pa kufizime, por duhet të mbahet distanca. Deri më tash, maksimumi i personave nëpër kinema dhe restorante ishte 30.

Ndërkohë, në linjat urbane të trafikut të domosdoshme do të jenë maskat. Do të mund të mbahen edhe festivalet e panairet.

Viti i rregullt shkollor do të fillojë pas pushimeve të verës, ndërsa nxënësit sërish do të mund të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit.

Nga 1 shtatori, tifozët do të mund të shkojnë në stadiume për ndeshje duke mbajtur distancën dhe nuk do të lejohen të këndojnë.

Numri i të infektuarve në Holandë është duke rënë vazhdimisht. Gati 50.000 persona janë infektuar me koronavirus, ndërkohë që si pasojë e tij kanë vdekur rreth 6.000.