Lajme

Hoti: E kemi obligim ta themelojmë Asociacionin, statuti do të jetë në përputhje me Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës në diskutimin për dialogun Kosovë-Serbi ka folur edhe rreth marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Hoti ka thënë se janë bërë shumë keqinterpretime rreth një marrëveshje të tillë duke theksuar se ajo nuk është shpallur anti-kushtetuese, por vetëm janë dhënë vërejtje nga Gjykata Kushtetuese të cilat duhet të merren parasysh nga Qeveria kur të hartojnë statutin e Asociacionit.

“Marrëveshja për Asociacionin nuk është shpallur antikushtetuese. Kushtetuesja ka dhënë vërejtjet e veta që Qeveria duhet t’i ketë parasysh kur të hartojë statusin e Asociacionit”, ka thënë Hoti, raporton Express.

Kreu i Qeverisë ka thënë se themelimi i Asociacionit është një obligim që e ka marrë Kosova dhe si i tillë duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Është obligim i shtetit të Kosovës që të themelojë këtë asociacion. Duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e vendit”, ka thënë Hoti tutje.

Kryeministri tutje ka thënë se ende s’ka asgjë në drejtim të themelimit të Asociacionit meqë kanë vetëm 2 javë që kanë marrë detyrën, por thotë se do të jenë të kujdesshëm që të koordinohen me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës sa i përket hartimit të statutit të Asociacionit.

“Nëse kemi marrë obligim, do ta themelojmë në pajtim me Kushtetutën. Do të jemi të kujdesshëm në këtë proces. Para hartimit të statutit në qeveri, do të kujdesemi që statuti të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shtuar tutje ai.