Lajme

Kurti: Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit, beteja jonë vazhdon bashkë me popullin

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i jep të drejtë dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin e qeverisë, shkruan Kosova Post.

Për më tepër përmes një postimi në Facebook, Kurti ka shkruar se ‘Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten’

Tutje ka shkruar Kurti ‘Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar.

Postimi i plotë i Kurtit:

Mbrëmë natën, në orët e vona, morëm njoftimin nga Gjykata Kushtetuese lidhur me Aktgjykimin për dekretin antikushtetues të Presidentit.

Le të themi qysh në fillim, se në tekst dhe nëntekst nuk gjendet shumë lidhur me çështjet kushtetuese sa me metodën e pashembullt të shprehjes së parullave disiplinuese-ndëshkuese.

Mund të gjenden pak ose aspak raste në botën demokratike kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti duke u thirrur në shumica fiktive në Kuvend dhe duke spërdredhur deklarimet dhe shkaqet objektive siç ishte gjendja e rëndë e pandemisë.

Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë.

Gjykata ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e Kuvendit ka qenë automatike.

Është e vërtetë që Presidenti s’ka një të drejtë absolute për të shpërndarë Kuvendin, por, pikërisht për këtë arsye, ajo është e kufizuar në mocionin e mosbesimit si kriter për këtë.

Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inexistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit.

Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon.

Formulimet e llojit “… Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi”, apo, “E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi edhe privilegj” përbëjnë shembuj eklatant të kreativitetit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në shprehjen e admirimit të tyre ndaj vendimeve të Presidentit të vendit.

Një vlerësim të plotë e të hollësishëm nga këshilltarët tonë ligjorë do të mund ta kemi pasi ta marrim tekstin e plotë të Aktgjykimit.

Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten.

Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar.

Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykates Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim.