Lajme

Kurti studentëve të Harvardit: Nëse e humbim BE-në, fiton Rusia

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti u ka folur studentëve të Universitetit të Harvardit për rëndësinë që ka Bashkimi Evropian, teksa i është përgjigjur një pyetjeje rreth anashkalimit të NATO-s nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Aleanca Veriatlantike ka qenë shpesh cak kritikash i të parit të SHBA-së.

Kurti në bisedën online, të moderuar nga Richard Burns ka folur për tri shtyllat e Bashkimit Evropian.

“Pa NATO-n e humbim edhe BE-në dhe nëse e humbim atë, fituese është Federata Ruse. Askush në SHBA nuk mund të fitojë nëse e humbim BE-në”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu e ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së të trija shtyllave të bllokut evropian.

“Posaçërisht ombrellën e sigurisë, NATO-n, esenca e të cilës është SHBA”, ka thënë ai.

Ai u ka treguar studentëve se populli i Kosovës ia di rëndësinë NATO-s.

“Pa ndërhyrjen e saj, nuk do të ishim shtet i lirë sot”, ka thënë ai.