Opinione

Pula: Precedent i rrezikshëm nëse Kushtetuesja lejon formimin e Qeverisë së Kosovës pa partinë e parë

Precedent të rrezikshëm e ka quajtur sociologu Besnik Pula mundësinë e konfirmimit nga Kushtetuesja të tentimit të PDK-së dhe LDK-së për imponimin e një leximi tjetër të Kushtetutës, sipas të cilit do të lejohej që pas votës së mosbesimit, Qeveria të formohet pa partinë e parë.

“Nëse ky lexim, tashmë i ri, lejohet dhe eventualisht konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, atëherë jo vetëm që kemi dy lexime kontradiktore të Kushtetutës, si në tekst, ashtu edhe në frymë, por edhe krijimin e një precedenti tepër të rrezikshëm”, shkruan Pula në Facebook.

Pula, mësimdhënës në Departamentin e Shkencës Politike në Universitetin Virginia Tech në SHBA dhe i doktoruar në sociologji në Universitetin e Michiganit, e ka elaboruar këtë vlerësim të tijin. Sipas tij, me këtë praktikë të re, fuqia kryesore politike në Kosovë nuk është më partia e parë, por edhe partia e dytë, atëherë kur partia e parë nuk e ka shumicën absolute.

“Sepse detyrimi për përfshirjen e partisë së parë në qeveri vlen vetëm për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve. Pra, pas një vote formale për krijimin e qeverisë, partia e dytë tashmë ka gjithmonë shkas të bashkohet me opozitën që të votojë kundër qeverisë së saj për të krijuar pastaj, sipas një procedure tjetër të kushtetutës, një qeveri të re ku ajo udhëheq”, shkruan ai.

Pula sqaron se “partia e dytë, cilado qoftë ajo, tashmë e di që votimi kundër qeverisë ku ajo është partnere nuk është votë për humbje të pushtetit, por për avancim në parti qeverisëse”.

“Pse atëherë të mbetësh partneri junior i cilësdo parti të parë, kur tashmë e ke të etabluar procedurën kushtetuese që partinë e parë, pas një vote të parë formale, pas një vote të dytë ta çosh përnjëherë në opozitë?”, pyetet ai.

Pula e quan këtë gjë “nonsens juridik, meqë përfshirja e partisë së parë në qeveri tashmë qenka vetëm formalitet procedural, por edhe precedent që e bën çdo koalicion të paqendrueshëm dhe rrjedhimisht formulë për jostabilitet të përhershëm institucional”.

Ai po ashtu rikujton se “gjatë krizës politike të vitit 2014, me formimim e koalicionit paszgjedhor LANV kundër PDK-së, juristët e PDK-së argumentonin fuqishëm se Kushtetuta e Kosovës, respektivisht neni 95, nuk lejon formimin e qeverisë pa pjesëmarrjen e partisë që në zgjedhje ka dalë e para”.

Pula ka treguar se edhe vetë asokohe e kishte kundështuar këtë interpretim, “nga fakti se me këtë lexim kushtetuta bllokon formimin e vullnetit demokratik në Kuvend dhe sundimin e shumicës”.

Megjithatë, Kushtetuta kishte vendosur sipas leximit të PDK-së dhe kjo ka qenë që nga ajo kohë formulë qeverisëse në Kosovë.

“Unë akoma mendoj se kjo qasje është gabim, por një ndryshim i kësaj tashmë qartazi kërkon amandamentim të kushtetutës”, shkruan ai.