Lajme

Judah për shkëmbimin e mundshëm territorial: Veriu, Lugina dhe Asociacioni

Tim Judah, gazetar dhe publicist britanik, në emisionin Desku në KTV ka thënë se në diskutimet për shkëmbimin territorial janë disktuar veriu i Kosovës, Lugina e Preshevës dhe Asociacioni i Komunave Serbe.

Ai thotë se ka pasur një zhvillim shumë të vogël në rajon dhe në Kosovë për 20 vjet.

“E dini, dua të them, është goxha kundërthënëse sepse ka pasur shumë zhvillime, shumë gjëra të mira që kanë ndodhur në Kosovë dhe në rajon prej vitit 1999. Në anën tjetër, prej vitit 1999 tashmë ka kaluar goxha kohë, një brez i tërë, njerëz që nuk i mbajnë fare në mend gjërat para vitit 1999. Dhe, çfarë është frustruese për mua si gazetar është se ngadalë kanë ndryshuar gjërat dhe sa shumë shpresa për të ardhme më të mirë janë shuar. Dua të them nuk dua që kjo të tingëllojë si zymtësi, sepse sikurse thashë, shumë gjëra të mira kanë ndodhur, por Kosova, por edhe tërë rajoni mund të ishin zhvilluar më shumë dhe më tej gjatë këtyre njëzetë vjetëve”, ka thënë ai.

Judah gjithashtu ka folur edhe për zhvillimin në Kosovë në aspektin e demokracisë, sundimit të ligjit, ekonomisë, e lirisë së mediave.

Sipas tij kjo hyn në mesin e asaj pasqyrës kundërthënëse, pasi në disa gjëra Kosova ia del më mirë, në disa tjera më keq.

“Qartazi, në aspektin ekonomik, Kosova është skajshmërisht e dobët dhe ekonomia është një prej problemeve më të mëdha. Sa i përket lirisë së mediave, që është gjendje e vështirë për krejt rajonin, Kosova do të dilte më mirë. Edhe sa u përket disa aspekteve të demokracisë, mendoj se Kosova nuk del edhe aq keq, mbi të gjitha ju mbajtët zgjedhjet më 6 tetor dhe u ndërrua qeveria, dua të them mund të ndryshojë përsëri, por që është tjetër çështje, por është goxha ndryshe të merret me mend, ta zëmë meqë po përdorim këtë argument, nga zgjedhjet që do të mbahen në Serbi dhe a do të ndryshojë përnjëmend në Serbi”, ka thënë Judah.

Ngjashëm, ai shton, hidhjani një sy ta zëmë Malit të Zi, ku qeveria nuk ka ndryshuar asnjëherë, jo vetëm gjatë gjashtë vjetëve të kaluar, por asnjëherë në historinë e Malit të Zi nëpërmjet zgjedhjeve, dhe z. Gjukanoviq ka qenë në pushtet herë në njërin, herë në postin tjetër prej vitit 1989.

E sipas tij edhe marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve brenda Kosovës do të mund të ishin më të mira.

“Ngjashëm, gjërat mund të mos jenë të përsosura matanë kufirit në Maqedoninë e Veriut ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, por janë më të mira në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror se ndërmjet shqiptarëve e serbëve brenda Kosovës”, u shpreh Judah.

Sipas tij mund të ketë përkeqësime në aspektin ndëretnik në Ballkan.

“Jo, unë mendoj se do të përkeqësohen në disa aspekte në Kosovë, se ta zëmë në Maqedoninë e Veriut. Në fund të fundit, dua të them, ato mund të jenë probleme ndëretnike, në fund të fundit lidhen me vullnetin politik dhe të pasurit e liderëve që janë për zgjidhje dhe arritje kompromisesh, pa menduar për njerëz si serbë ose shqiptarë, por për njerëz të cilëve u duhen mundësi, njerëz që u duhen shkolla, njerëz që duhet të punojnë, pavarësisht a janë serbë a shqiptarë, dhe ende nuk mendoj se kemi arritur në atë pikë në Kosovë. Se a mund të kthehet dhuna, po, unë mendoj se kjo është e mundshme, nuk mendoj se kjo është e mundshme në një të ardhme të afërt, por natyrisht se gjërat e këqija kthehen. E dini, vetëm duhet vullnet politik dhe politikanë që duhet ta shmangin këtë, me qëllim që të parandalohen këto gjëra”, ka thënë ai.

Tutje ai ka folur edhe për shkëmbimin territorial, ku thotë se kjo temë ishte në tavolinë.

“Por, edhe pse mund të them se ata kanë diskutuar pjesë të caktuar të veriut, mbase duke shmangur pjesën e Mitrovicës Veriore, mbase duke shmangur Ujmanin, mbase ata kanë diskutuar ku do të kalonte vija në Preshevë në Luginë. Nuk mendoj se ata përnjëmend ka pasur diçka për të cilën janë pajtuar. Dua të them, mendoj se këto kanë qenë ide që janë diskutuar, janë sjellë dhe kanë shkuar, kështu nuk mendoj se kanë qenë më afër ndonjë marrëveshjeje të tillë. Por mendoj se krejt këto gjëra janë diskutuar në një formë a tjetër. Dhe nuk mendoj se ka pasur ndonjë marrëveshje për këto gjëra. Dhe personalisht nuk mendoj se mund të ketë ndonjë marrëveshje për ndonjë prej këtyre gjërave. Dhe mendoj se ka shumë pengesa”, ka thënë Judah.