Futbollisti serb dënohet me tre muaj arrest shtëpiak për shkelje të orës policore
Futbollisti serb Aleksandar Prijoviq është dënuar me tre muaj burg shtëpiak për shkelje të orës policore të vendosur në Serbi për të parandaluar përhapjen e koronavirusut, bëjnë të ditur mediumet serbe, transmeton koha
Sulmuesi 29-vjeçar që luan për klubin nga Arabia Saudite, Al-Ittihad, është deklaruar i fajshëm në një seancë gjyqësore nëpërmjet video-lidhjes në Beograd të shtunën.
Policia arrestoi Prijoviqin dhe 19 tjerë që ishin tubuar në një bar në hollin e një hoteli në Beograd të premten, duke shkelur orën policore në Serbi që është vendosur nga ora 17:00 deri në ora 5 të mëngjesit.
Ai është futbollisti i dytë nga Serbia që është kapur duke shkelur urdhrat në Serbi, pasi që sulmuesi i Real Madridit, Luka Joviq kishte bërë shkelje të njëjtë duke udhëtuar në Serbi për të festuar ditëlindjen e të dashurës së tij.
Ata që shkelin masat kufizuese rrezikojnë të dënohen deri me tre vjet burg.