Lajme

Konjufca vendos ta kthejë në shtëpi kunatën e Kadri Veselit

Në mesin e diplomatëve të cilët pritet të përfundojnë misionin e tyre diplomatik është edhe kunata e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Ajmane Veseli, e cila mban gradën konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih me datën 27 mars i ka përfunduar mandati i dytë në këtë post që nga viti 2012, kur ishte emëruar për herë të parë. Ajo do kthehet në Kosovë pasi ministri Konjufca nuk ia ka vazhduar mandatin. Megjithatë kthimi do kryhet me datë 30 qershor për shkak të virusit corona.

Ajmane Veselit i ishte vazhduar shërbimi diplomatik nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Përmes një vendimi të marrë më 11 janar 2018 ish-ministri Pacolli ia kishe vazhduar mandatin, Ajmane Veselit deri më datën 31 gusht të po atij viti.

Ndërsa pak ditë para se t`i përfundonte ky mandat i vazhduar nga ish-ministri Pacolli, ky i fundit më 16 gusht kishte marrë vendim që Ajmane Veselit t`i vazhdohej mandati deri më 27 mars të këtij viti.

“Znj. Ajmane Veseli në gradën Konsull e caktuar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih/Konfederata e Zvicrës i vazhdohet mandati i shërbimit në këtë mision diplomatik deri më datën 27 mars 2020”, thuhet në vendimin e ish-ministrit Pacolli.

Mirëpo kthimi i saj në Kosovë nuk pritet të ndodhë edhe për disa muaj, asaj i është vazhduar mandati deri më 30 qershor, kjo për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Shefi i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se në datat 27 mars dhe 30 mars kanë dërguar dy valë të vendimeve për kthimin e diplomatëve, të cilëve u ka skaduar apo do të ju skadojë së shpejti mandati.

“Përtej kësaj, ne kemi trajtuar edhe rastet kur diplomatët kanë qëndruar për një kohë të gjatë në misione brenda shtetit të njëjtë, gjë që nuk preferohet për shkak të fenomentit të lokalizmit. Për këtë arsye, ne kemi bërë vendime që të kthehet edhe kjo kategori”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se janë rreth 30 diplomatë që pritet të kthehen në shtëpi, pas përfundimit të misionit ose edhe pas lirimit nga detyra.

“Më 31 mars e kemi dërguar valën e tretë të vendimeve. Prej këtyre diplomatëve, ata të cilët janë diplomatë të karrierës dhe janë punësuar si të tillë në MPJ, do të kthehen më 30 qershor. Ndërsa, ata të cilët kanë qenë politik do të lirohen nga detyra”, ka thënë ai.

Dje ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka marë vendim për shkarkimin e Tefta Kelmendi- Merran, vajzës së anëtarit të Kryesisë së PDK-së Migjen Kelmendi.