Opinione

Politika e kunxhit!

Shkruan: Mehdi Mulaj

Kur partive politike u duhen votat, ato nuk hezitojnë të ngulin kunxha (kunja) gjithandej vendit, në të cilët do të thereshin votuesit e tyre të verbër (militantët), të blerë me para, me punësime pa meritë, e me mënyra tjera.

Qysh pas luftës në Kosovë, vendi ka kaluar nëpër shumë procese të mëdha, sa të rëndësishme, shpesh edhe të dëmshme për vendin, për të cilat vazhdojmë të paguajmë shumë shtrenjtë.

Fushatat politike vini sa hap e mbyll sytë, sepse koalicionet qeverisëse s’po arrinin të hanin në një pjatë.

Partive në pushtet u binte nami, për shkak të keqqeverisjes dhe rezultateve të dobëta. Atëherë shfaqej nevoja për të nxjerrë tema të mëdha,për të cilat qytetarët dinin shumë pak, për të mos thënë fare.

Një kunxh i madh ishte liberalizimi i vizave, ku mbi të u ngulën shumë qytetarë. Premtimet elektorale për këtë proces ngjasonin me Aventurat e Nils Holgerssonit.

Premtimet e rreme, të njëpasnjëshme, sollën pakënaqësi të mëdha, saqë Kosova u shndërrua në eksportuesin më të madh të emigracionit në Evropë, pas Sirisë.

Pamje të tmerrshme të një eksodi të dytë pas atij që e shkaktoi gjenocidi i Serbisë në Kosovë. Dallimi ishte se eksodin po e shkaktonin të zgjedhurit e popullit (pushtuesit legjitim).

Premtimet e fushatave mbase nuk duhen marrë seriozisht. Fjala -fushatë rrjedhë nga bashkimi i dy fjalëve -fushë e thatë (për ironi).

Derisa politikanët e fajësonin njëri-tjetrin për dështimet, e besa e fajësonin edhe Bashkimin Evropian, qytetarët e vendit vazhdonin t’i vuaninplagët që e shkaktuara kunxhi në të cilin ishin ngulur.

Kunxha gjithandej, por për çudi, në asnjërin prej tyre nuk binin kunxhabërësit.

Të njëjtat premtime u përdorën edhe nga politikanët tjerë, duke përmendur data për liberalizimin e vizave. Në këtë mënyrë, kunxhi vazhdonte të mprihej.

Bashkimi Evropian nxori një varg kushtesh që duhej t’i plotësonte Kosova për ta marrë liberalizimin e vizave, ndër to ishte edhe demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Deri te plotësimi i tyre, populli i Kosovës e pa tmerrin me sy, sidomos demarkimin me Malin e Zi. Ky kusht i BE-së solli modelin më të paparë deri atëherë në politikën kosovare. Kur veprimet politike të opozitës nuk po sillnin rezultate, atëherë doli në shesh gazi lotsjellës.

Për ditë më radhë, qytetarët e vendit panë sjelljet më jodemokratike të të zgjedhurve të tyre. Nga dritaret e Kuvendit po dilte tym, në vend se të dilnin mendime e ide për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Ky kush u bë sebep për lëvizje të mëdha në politikë. Një pjesë e opozitës erdhi në pushtet. Para vetes e kishin kauzën e madhe –Demarkacionin, të cilin me mish e me shpirt e kundërshtonin sa ishin në opozitë.

Pas ndërrimit të roleve, nisën ta thernin njëri-tjetrin me kunxha, e qytetari i shkretë po shikonte seri budallakitë e tyre.

Kur procesi i liberalizimit të vizave po dilte në krye, nisin mprehja e kunxhave tjerë. Tashmë fundi i këtij viti përmendej si mundësi reale që qytetarët e vendit të lëvizin pa viza nëpër zonën Shengen.

Shumëkush sërish u ngul në këtë kunxh, sepse u besonin deklaratave të llafazanëve dhe mimikës së fytyrave të tyre prej aktorësh.

Në kohën kur qytetarët nisën të binden se fundi i vitit do t’ua hapte derën e Evropës, zyrtarë të kësaj të fundit erdhën dhe na dhanë ‘lajmin e madh’ – “Harrojeni liberalizimin sivjet!”

Eh tash, qytetarët u ngulën dy herë – në kunxhin vendor dhe në atë ndërkombëtar.

Pas kësaj, “pushtuesit legjitim” nisën të vjellin vrer kundër Evropës, për kunxhat që i kishin ngulur vetë përgjatë viteve.

Uroj që sa më shpejtë të vijë koha kur qytetarët do t’ua ngulin politikanëve kunxhin sovran – votën!