Covid-19/ Qeveria e Shqipërisë shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore
Tani kanë kaluar me shumë se dy javë nga përhapja e koronavirusit në vendin tonë, qeveria ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
Vendimi i qeverisë është botuar sot në Fletoren Zyrtare, ku thuhet se për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore merren masat e jashtëzakonshme dhe ngarkohen institucionet publike për këto masa.
Shpallja e gjendjes se fatkeqesise natyrore eshte kerkuar edhe nga kreu i PD, Lulzim Basha.
Vendimi i qeverise i publikuar ne Fletoren Zyrtare
PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË FATKEQËSISË NATYRORE
Në mbështetje të neneve 100, 170, 174, pika 1, e 175, pika 2, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 18, të pikës 1, të nenit 19, dhe të pikës 1, të nenit 39, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
VENDOSI
1.Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.
2.Kufizimin e të drejtave të garantuara nga nenet 37, 38, 41, pika 4, 49 dhe 51 të Kushtetutës deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve.
3.Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile (KNEC), i ngritur me vendimin nr.750, datë 27.11.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë”, të ndryshuar, është organi më i lartë për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve private, si dhe të burimeve financiare e materiale për përballimin e fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Anëtar i KNEC-së caktohet dhe ministri i Shtetit pë Rindërtimin.
4.Në mbledhjet e KNEC-së marrin pjesë, me kërkesë të Kryetarit, përfaqësues të organeve të ndryshme publike, të biznesit, ekspertë/profesionistë të fushës së mjekësisë e të shëndetit publik dhe përfaqësues të shoqërisë civile ose drejtues të OJF-ve, me objekt veprimtarie shëndetin publik dhe ndihmën humanitare.
5.Instituti i Shëndetit Publik caktohet në rolin e Sekretariatit Teknik të KNEC-së, për çështje të fatkeqësisë natyrore të shpallur për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.
6.Për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore merren masat e jashtëzakonshme, si më poshtë vijon:
Institucionet publike:
- a) të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
- b) të përdorin burimet financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe të rivlerësojnë buxhetin e tyre vjetor, në përputhje me kryerjen e shpenzimeve shtesë të paparashikuara;
- c) të vënë në dispozicion burimet njerëzore e logjistike;
ç) të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar;
- d) të kufizojnë aksesin në ambiente publike, të cilat kanë një frekuentim të gjerë;dh) të ndalojnë tubimet, manifestimet dhe grevat;
- e) të kufizojnë aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike;
ë) të vendosin në karantinë të gjithë personat e konfirmuar ose të dyshuar se janë të prekur nga COVID-19;
- f) të krijojnë dhe të sigurojnë zonat e karantinës me personel, të cilit t’i sigurohen të gjithë masat parandaluese për të evituar infektimin;g) të garantojnë kushtet dhe stafin e kualifikuar për kurim të specializuar në qendrat e karantinës;
- gj) të pajisin të gjithë punonjësit e qendrave spitalore dhe shëndetësore me bazën e nevojshme materiale për shmangien e infektimit.
6.2. Strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile:a) të vendosin dhe të zbatojnë masa të veçanta për garantimin dhe rritjen e sigurisë së shtetasve në zonat e prekura nga fatkeqësia;
- b) të aktivizojnë dhe të organizojnë procedurën e karantinës për popullsinë e rrezikuar; c) të organizojnë kontrolle të njëanshme të banesave dhe objekteve private për evidentimin dhe trajtimin e personave të prekur nga virusi;
ç) të kufizojnë lëvizjen e lirë për brenda ose jashtë shtetit në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore; d) të kufizojnë organizimin e grevave;
- dh) të kufizojnë zhvillimin e aktiviteteve ekonomike për subjektet private në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore;
- e) të japin ndihmën e parë ndaj personave të prekur nga virusi dhe të realizojnë transportimin e të prekurve për në qendrat spitalore ose në infrastrukturën e karantinës;ë) të organizojnë procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale.
6.3. Subjektet private:a) të respektojnë procedurat dhe masat për karantinën;
- b) të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;
- c) të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisënatyrore;
ç) të mbyllin ose të kufizojnë përkohësisht veprimtarinë e tyre;
- d) të mos vjelin tarifat e kalimit rrugor për mjetet e angazhuara në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
6.4. Shtetasit:
- a) të zbatojnë urdhrat, masatdhe udhëzimet e autoriteteve të mbrojtjes civile, si dhe të ndjekin procedurat e kërkuara, në mënyrë të veçantë për karantinën dhe pezullimin e aktiviteteve;
- b) të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet publike dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;
- c) të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
- Të gjitha të drejtat dhe liritë e kufizuara me akte, të dala në zbatim të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, dhe me aktin normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar, mbeten në fuqi.
- Ngarkohen Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile dhe të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.