Të fundit

Vucic: Rastet e dyshuara të serbëve nga Mitrovica për infektim me korona virus do t’i trajtojmë në Serbi

Serbia ka mbyllur kufijtë dhe ka kufizuar transportin rrugor, hekurudhor dhe po ashtu ka ndaluar edhe fluturimet nga aeroporti i Beogradit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, njoftoi po ashtu se në Mitrovicë të Veriut, ka raste të dyshuara për infektim me korona virusin e ri SARS-CoV-2, ai shtoi se këta do të testohen e trajtohen në Serbi, transmeton Gazeta Metro.


Që prej ditës së sotme, të gjitha vendkalimet kufitare për hyrjen e pasagjerëve në Serbi – përmes transportit rrugor dhe hekurudhor do të mbyllen.

Me përjashtim të kamionëve të transportit, askush nuk mund të hyjë në territorin e Republikës së Serbisë, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic.

Veç kësaj, sipas mediumit lokal serb në veri të Mitrovicës, kossev.info, Vucic ka konfirmuar se ka pasur raste të dyshuara të korona virusit të ri nga veriu i Mitrovicës që po testohen në institutin Torlak në Beograd.

“Nga atje, ne morëm virusin e parë të dyshuar nga veriu i Mitrovicës, kështu që do t’i trajtojmë këta njerëz në Serbinë Qendrore”, citohet të ketë thënë Vucic.

Ai ka shtuar se do të kërkojnë nga Prishtina “që të na lejojnë të furnizojmë Veriun e Kosovës dhe miell sepse njerëzit tanë kanë një problem me miell”.

Në një konferencë shtypi në Beograd, Vucic tha se 71,180 shtetas serbë kanë hyrë në territorin e Serbisë që nga gjendja e jashtëzakonshme.

Shumë prej tyre, vuri në pah ai, sillen në mënyrë të disiplinuar dhe të përgjegjshme, por ka edhe “përjashtime katastrofike”.

Ora policore është vendosur si masë parandaluese në Serbi që prej mbrëmjes së mërkurës dhe deri tani njoftohet se janë arrestuar 154 perona për shkeljen e këtij rregulli./