Kim Mehmeti: Kosova do e ketë të vështirë të ‘çlirohet’ nga ‘robëria’ e egër e zhvatësve të saj!
Kim Mehmeti
Lexova diku se ‘dikush’ paska kërkuar nga Kryetarja e parlamentit të Kosovës që të kalojë në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Jo dikush por çdokush duhet t’ua rikujtojë të rinjve të mençur e të aftë të LDK-së se ka rrethana kur njeriu nuk duhet të dëshmojë sa është politikan, por sa është njeri. Dhe kur duhet ta braktisë partinë e vet jo që të shkojë te ndonjë tjetër, por që t’i kthehet njerëzores në vetvete.
E ky është ai moment kur partiakët e njerëzishëm të LDK-së duhet të kërkojnë nga drejtuesit e partisë së tyre shpjegim si është e mundur që në këto rrethana të rrezikshme për popullin, ata të merren me lojëra të pista politike. Pra të pyesin se sa është e njerëzishme që atëherë kur shtëpia gjëmon nga rënkimet e të sëmurëve në të, ti të merresh me atë se kush i mban çelësat e dhomave.
Dhe veprimi i tanishëm aq jonjerëzor i disa drejtuesve të LDK-së tregon qartë diçka të dhembshme: Kosova do e ketë të vështirë të ‘çlirohet’ nga ‘robëria’ e egër e zhvatësve të saj, e të cilët shpesh mbulohen me portretin e Presidentit historik të Kosovës, që të mos shihet se s’kanë si dalin nga ‘gropa’ e ‘Gjarprit’. (Kim Mehmeti)